KAVAJE

Një tjetër “përplasje” mes zyrtarëve vendorë të zgjedhur dhe protestuesve të PD ka ndodhur këtë të martë, këtë herë në Kavajë.

Kryebashkiaku i ri i Kavajës Redjan Krali ka hyrë në ambientet e Bashkisë së bashku me 31 këshilltarët, ndërsa ish-kryebashkiaku Isa Sakja dhe mbështetësit e tij janë larguar nga zyrat, pas përfundimit të orarit zyrtar të punës.

Gazetari Kelmend Baçi raporton për “News 24” gjithë ngjarjen dhe çfarë ndodhi sot në Kavajë.

“Situata paraqitet aktualisht e qetë. Kryetari i ri Redjan Krali është futur në zyrë së bashku me këshilltarët e dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit,. Kujtojmë se pak më herët, mbështetës të PD, të kryesuar nga ish-kreu Isa Sakja u larguan nga ambientet e Bashkisë, pasi përfundoi orari zyrtar për sot.

Pas ikjes së Sakjes, ka ardhur kryetari i ri i Bashkisë Redjan Krali, rrethuar nga simpatizantë të tij dhe policia. Në këto momente, z.Krali ndodhet në zyrë bashkë me këshilltarët e tij, 31 të tillë të dalë nga zgjedhjet. Kujtojmë se sot që herët në mëngjes, mbështetës të PD kanë protestuar kundër hyrjes së z.Krali në Bashki, duke thënë se zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme. Nuk kishte incidente të rënda, edhe pse palët ishin jo larg nga njëri-tjetri”, tha gazetari Klemend Baçi.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb