Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi se beson shumë në suksesin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë, sepse me identitet të qartë dhe të njohur për veçantinë e kombit maqedonas përfundon kjo çështje dhe hapet e ardhmja për vendin.

“Shqyrtuam dhe miratuam raportin për marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit maqedonas-grek për emrin dhe për partneritetin strategjik. Besoj fort në këtë marrëveshje, sepse me një identitet të qartë dhe të njohur për veçantinë e kombit maqedonas përfundon kjo çështje dhe hapet ardhmëria për vendin. Kjo qeveri e Republikës së Maqedonisë duhet të jetë krenare për këtë zgjidhje. Me këtë vendim shkruhet një faqe e re në historinë e vendit tonë”, shkruan Zaev në profilin e tij në Facebook.

Qeveria maqedonase miratoi dje marrëveshjen me Greqinë të titulluar “Marrëveshje përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 dhe 845 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për pavlefshmërinë e Marrëveshjes së Përkohshme nga viti 1995 dhe për vendosjen e partneritetit strategjik midis palëve”, raporton atsh.

Ende nuk është caktuar data e takimit midis kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras në të cilën duhet që të nënshkruhet marrëveshja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb