TIRANE-“Dosja e 21 Janarit do të jetë në shqyrtim brenda 6 muajsh”. Kështu u shpreh sot Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori gjatë një takimi me gazetarët mbi punën 1 vjetore të institucionit që drejton.

Sipas parashikimit të tij, pritet që ngjarjet e bujshme të 4 viteve më parë ku mbetën të vrarë 4 protestues të gjykohen në fillim të shtatorit të këtij viti.

Zaganjori ndër të tjera u shpreh dhe për sulmet me tritol. Kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh se, sulmet me tritol përbëjnë një kërcënim për të gjithë, madje dhe për gjyqtarët, për shkak të punës që këta të fundit kryejnë.

Zaganjori shton se shpërthimet e fundit kanë tronditur shoqërinë dhe se “duhet bashkëpunim i mekanizmave të shtetit dhe mes vetë politikës për të luftuar krimin i cili nuk ka ngjyrim”
“Duke pasur parasysh ngarkesën e Gjykatës, punën e Gjykatës, me ndryshimet që janë bërë në ligjet për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, është parashikuar rritja e numrit të gjyqtarëve nga 17 në 19. Mjafton të pjestohet 6000 me 17 gjyqtarët dhe dalin rreth 400 çështje për një gjyqtar në vit. Do të na ndihmonte shumë sikur ky detyrim ligjor të plotësohej. Ky nuk ështe faji im por është problem i politikës. Mesa duket formula për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nuk funksionon ashtu siç duhet. Ngjarjet e kohëve të fundit e kanë tronditur shoqërinë dhe shpresoj që të gjendet bashkëpunimi, të gjendet forca e duhur për ta përballur. Lufta ndaj krimit është një luftë permanente e shtetit dhe kërkon një bashkëpunim sa më të mirë nëpërmjet vetë politikës”.

PRITET TE NISE BRENDA 6 MUAJVE, GJYKIMI I ÇESHTJEVE TE DY VITEVE TE FUNDIT

Gjykata e Lartë, në kuadrin e reformës në drejtësi, ka bërë përpjekje për vendosjen e mekanizmave frenues, të cilët synojnë uljen e numrit të çështjeve që vijnë për shqyrtim. Nga ana tjetër ka shtuar përpjekjet për respektimin e afateve të gjykimit dhe mbylljen e çështjeve të viteve të kaluara me qëllim që brenda 6-muajve të nisë gjykimin e çështjeve të vetëm dy viteve të fundit.

Në kuadrin e marrjes së masave institucionale për uljen e backlogu-ut si dhe në respektim të standardit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, u bë e mundur që brenda vitit 2014 të përfundonte gjykimi i disa çështjeve që kishin mbetur pa shqyrtuar nga vitet 2007 – 2011. Aktualisht anëtarët e Kolegjit Civil e Administrativ po shqyrtojnë dosjet e regjistruara në vitin 2012 dhe ata të Kolegjit Penal dosjet e vitit 2013. Me këto ritme, pritet që brenda 6 mujorit të dytë të vitit 2015, Kolegjit Civil e Administrativ të nisin shqyrtimin e çështjeve të regjistruara në vitin 2013 dhe Kolegjit Penal të vitit 2014.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: