TIRANË- Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ), ku u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i sapo zgjedhur i kësaj gjykate Guido Raimondi.

Në takimin me z. Raimondi u diskutua lidhur me çështjet e bashkëpunimit dhe raporteve ndër institucionale mes Gjykatës së Lartë të Shqipërisë dhe GJEDNJ. Raimondi vlerësoi punën e bërë nga shteti shqiptar dhe nga gjyqësori në drejtim të respektimit të parimeve dhe standardeve të parashikuara në Konventë dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së.

Nga ana e tij Zaganjori, u shpreh se organet e drejtësisë në Shqipëri, gjatë veprimtarisë së tyre po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të zbatuar më përpikmëri këto standarde. Ai e njohu me procesin e reformës në drejtësi që po zhvillohet në Shqipëri, duke theksuar se kjo reformë paraqet një rëndësi parësore për sistemin gjyqësor, në drejtim të garantimit të pavarësisë së gjyqtarëve, forcimit të shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit, rritjen e eficencës, transparencës, etj.. Gjyqtarët janë përfshirë në këtë proces duke shfaqur në mënyrë të vazhdueshme mendimet dhe opinionet e tyre lidhur me reformën, në kontakt me grupet e punës si dhe përmes Konferencës Gjyqësore Kombëtare dhe formave të ndryshme të komunikimit institucional dhe me publikun. Gjithashtu, përfaqësues të gjyqësorit kanë realizuar takime edhe me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, ku kanë parashtruar opinionet dhe qëndrimet e tyre lidhur me këtë proces, të cilat janë konsideruar edhe në rekomandimet e këtij komisioni.

Në takim u diskutua edhe me terma konkretë lidhur me problematikën për respektimin e Konventës. Raimondi vlerësoi përpjekjet që po bëhen për t’i respektuar këto standarde, gjë që evidentohet dukshëm në vendimet që merren nga ana e gjyqtarëve, trajnimeve të organizuara mbi njohjen dhe zbatimin e tyre edhe nga ana e Shkollës së Magjistraturës.

Me gjithë arritjet e shënuara, ekzistojnë ende probleme lidhur me zbatimin e disa neneve të Konventës. Më konkretisht, Raimondi theksoi se këto probleme kanë të bëjnë me respektimin e nenit 5 mbi lirinë dhe sigurinë e personit, lidhur me kushtet në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe paraburgimit, si dhe nenit 6/1 lidhur me respektimin e gjykimit të çështjes brenda një afati të arsyeshëm.

Gjithashtu, Raimondi vlerësoi përpjekjet e ndërmarra për respektimin e standardeve të parashikuara në nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës, për zgjidhjen e problemit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Raimondi theksoi se ishte në dijeni të faktit se është miratuar një ligj i ri i cili tenton të zgjidhë një herë e mirë, brenda një periudhe 10 vjeçare, çështjen e pronave duke patur parasysh standardet e përcaktuara në vendimin pilot Puto kundër Shqipërisë. Sipas tij, ky është tregues i seriozitetit të shtetit Shqiptar për të adresuar çështjen e pronave, nëpërmjet hartimit të këtij ligji, cili mendohet se do të sjellë përmirësime të karakterit ligjor, administrativ dhe financiar. Aktualisht ligji nuk ka hyrë ende në fuqi e po i nënshtrohet kontrollit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare. Në këtë aspekt, Raimondi u shpreh se me hyrjen në fuqi të ligjit dhe pas përfundimit të procesit të kontrollit të kushtetutshmërisë së tij, GJEDNJ do të ketë mundësi që nëpërmjet një çështje konkrete të vlerësojë respektimin e standardeve të këtij ligji. Aktualisht në GJEDNJ ndodhen për shqyrtim 426 çështje gjyqësore, prej të cilave rreth gjysma e tyre kanë të bëjnë me çështjen e pronave.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori shoqërohet në këtë vizitë edhe nga anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb