Me ish-kryeministrin polak, Donald Tusk në krye, familja e madhe e PPE-së, e dominuar gjerësisht nga kristian-demokratët e kancelares gjermane, Angela Merkel kërkon të afirmohet, veçanërisht përballë presidenti francez, Emmanuel Macron, shumë i pranishëm në skenën europiane.

Kongresistët e mbledhur në kryeqytetin kroat diskutuan për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, një muaj pas refuzimit të Bashkimit Europian, nën ndikimin e Francës, për të hapur negociatat për anëtarësimin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Parisi do t’u propozojë partnerëve të Bashkimit Europian një reformë për procesin e anëtarësimit.

“Ne duhet të diskutojmë tashmë me Francën dhe do ta bëjmë këtë në mënyrë shumë intensive. Natyrisht disa elemente duhet të përmirësohen dhe të modifikohen në procesin e anëtarësimit”, deklaroi Merkel në kuadër të kongresit, pas një takimi me kryeministrin kroat Andrej Plenkovic, vendi i të cili do të marrë në janar presidencën e radhës së BE-së.

Kancelarja gjermane kërkoi arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ne nuk duhet të refuzojmë diçka që e kemi premtuar”, deklaroi Merkel.

“Është në interesin tonë të përbashkët që Ballkani Perëndimor të ketë një perspektivë europiane”, theksoi gjermanja, Ursula von der Leyen.

“Ne jemi në anën tuaj, ne dëshirojmë të jeni pranë nesh”, shtoi ajo.

Shumë në Bruksel i tremben faktit se Kina, Rusia, Turqia apo Arabia Saudite do të mbushin boshllëkun e lënë nga BE në Ballkan dhe se një mungesë e perspektivës europiane do të brishtësonte akoma më shumë këtë rajon.

Kryeministri kroat theksoi se shpresonte që situata të zhbllokohet gjatë samitit që do të mbahet në muajin maj në Zagreb, BE dhe Ballkani Perëndimor.

Presidenti në ikje i Këshillit Europian, Donald Tusk u shpalli luftë autokratëve dhe populistëve duke marrë kryesimin e një të djathte europiane që po përpiqet të ringrihet pas humbjeve të fundit zgjedhore.

Donald Tusk, 62 vjeç, personalitet i njohur në skenën europian, u zgjodh dje president i PPE-së nga kongresistët e mbledhur në kryeqytetin kroat.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb