Universiteti Politeknik i Tiranës ka kërkuar miratimin e 1245 kuotave për vitin akademik 2016- 2017. Pranimet e reja i takojnë nivelit bachelor dhe janë të ndara në 14 degët e këtij universiteti. Ndërkohë që numrin më të madh të studentëve duket se do e presë dega e Inxhinierisë Mekanike, me 157 kuota dhe Inxhinieria e Ndërtimit, me 150 kuota. Po ashtu, UPT i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit miratimin e 844 kuotave në nivelin master profesional dhe shkencor si dhe 110 pranime të reja në ciklin e tretë të studimeve (doktoratura).

“Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë numrin maksimal të pranimeve të reja për vitin e ri akademik sipas programeve të studimit që ofron ky universitet, të cilin e gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Ndërkaq, rektori i këtij universiteti, Andrea Maliqari saktësoi se këto kuota i takojnë propozimit të bërë nga institucioni që ai përfaqëson, ndërkohë që do të jetë Ministria e Arsimit, ajo që do të bëjë miratimin përfundimtar. “Ne patëm edhe një kontroll nga MAS, që kishte në fokus verifikimin e kapaciteteve për pranimet në UPT, gjë që në gjykimin tim është shumë pozitiv, pasi nuk mund të pranohen studentë të rinj përtej kapaciteteve të një institucioni arsimor. Ndaj do të duhet të presim miratimin e MAS për numrin e studentëve të rinj, që do të pranohen në Universitetin Politeknik të Tiranës”, u shpreh Maliqari.

KRITERET E PRANIMIT
Më herët UPT ka publikuar edhe kriteret dhe formulën, me anë të së cilës do të pranohen studentët në vitin akademik 2016-2017. Sipas UPT-së, kriter i pranimit në të gjitha programet e studimit të ciklit të parë ose programet e integruara të ciklit të dytë në këtë universitet do të jetë mesatarja e shkollës së mesme mbi notën 6. Ndërkohë që modalitetet e renditjes së kandidatëve do të bazohen në mesataren e përgjithshme të shkollës së mesme, llojin e shkollës së mesme të ndjekur dhe notat në lëndët specifike. Për këtë është përcaktuar një formulë, e cila përfshin tri lëndë prioritare që janë: Matematika, Fizika dhe Kimia.

Më konkretisht, kandidatët për ndjekjen e programeve të studimit të ciklit të parë dhe programeve të integruara të studimit të ciklit të dytë në UPT do të renditen sipas pikëve të grumbulluara nga llogaritja e rezultateve të shkollës së mesme sipas formulës: [ 0.7 x Nota mesatare + 0.3 x (Mes Matematikë+Mes Fizikë+Mes Kimi) / 3 ] x Koef. Shkollës. Nëse i marrim të gjithë elementet e formulës, atëherë kemi “Nota mesatare”, që është nota mesatare e të gjitha viteve të shkollës së mesme, ndërsa “koeficienti i shkollës” varion nga 1.0 në 1.4, sipas llojit të shkollës së mesme dhe programit të studimit pranë UPT-së. Për këtë arsye, UPT ka përcaktuar koeficientet e shkollave të mesme për çdo program studimi të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, të cilët ndodhen në faqen online të këtij universiteti. Për shembull, nëse i referohemi kësaj liste, për degën “Inxhinieri Mjedisi”, gjimnazi e ka koeficientin 1.4, ndërsa gjimnazi gjuhësor 1.2. Për të përfituar sa më shumë pikë, kandidatët do të duhet t’i verifikojnë koeficientet, me të cilat vlerësohet shkolla e tyre e mesme, në mënyrë që të kenë më shumë shanse për t’u shpallur fitues.

Ndërkaq, tre elementët e tjerë të formulës, që janë: ‘Mes Matematikë’, ‘Mes Fizikë’ dhe ‘Mes Kimi’ përbëjnë notën mesatare të këtyre lëndëve në të gjitha vitet e shkollës së mesme. Gjithashtu, UPT sqaron se kandidatët fitues do të përcaktohen nga renditja e kandidatëve sipas kriterit të mësipërm dhe kuotat për çdo program studimi. Ndërkaq, për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, parakusht për pranimin në Universitetin Politeknik të Tiranës është dokumenti që vërteton njohjen e një nga 5 gjuhëve të huaja sipas udhëzimit Nr. 52 datë 03.12.2015 të MAS. Sipas këtij udhëzimi, për pranimin në programet e studimit të ciklit të dytë, kandidati duhet të ketë njohje të gjuhës së huaj, ndërmjet nivelit B1 dhe nivelit C1.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: