BalkanWeb zbardh dokumentin e Kuvendit për apelimin në Gjykatën e Apelit të Tiranës të ‘pushimit’ të çështjes CEZ nga gjyqtari Lazër Sallaku.
Kuvendi në apelim thotë se ka mangësi në hetimin e Prokurorisë sidomos për veprën penale të ndikimit të paligjshëm mbi personat me funksion publik duke theksuar se nuk është bërë hetim lidhur me dokumentacionin që i ka dorëzuar Komisioni hetimor i Kuvendit për këtë çështje.
”Ndryshe nga sa argumenton Gjykata në vendimin e saj, Kuvendi arsyeton se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk ka kryer veprimet e domosdoshme hetimore para se të merrte vendim për pushimin e çështjes.”
”Mangësitë e evidentuara në hetimet paraprake, mungesa e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm e objektiv, të cilat u evidentuan dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor të kërkesës nga gjyqtari i seancës paraprake, krijojë bindjen se hetimet janë të paplota dhe Gjykata duhet të merrte vendimin për plotësimin e hetimeve bazuar në nenin 332/c të Kodit të Procedurës Penale”
”Prokuroria duhet të hetonte se përse u realizua privatizimi pa zgjidhur më parë problematikat e titujve të pronësisë midis OSSH dhe KESH-it, pa zgjidhur më parë marrëdhëniet e detyrimeve midis KESH dhe OSSH-s, përse nuk u respektua transparenca në procedurën e privatizimit, pse nuk u zbatua ligji nr. 9889, datë 20.03.2008”Për përcaktimin e formës së strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive anonime”.
Gjithashtu prokuroria nuk ka hetuar se përse rivlerësimi i aseteve të OSSH –së u bë në dëm të shtetit shqiptar duke i zhvlerësuar ato në favor të CEZ, përse ndryshoi niveli i borxhit të keq nga 4% në 14%, përse nuk u ndërmorën veprime për hapjen e procesit gjyqësor ndërkombëtar kundër shoqërisë CEZ sh.a për mospërmbushje të detyrimeve të saj, të përcaktuara në kuadrin rregullator specifik, duke dëmtuar pozitën mbrojtëse të shtetit në arbitrazhin ndërkombëtar të filluar vetëm nga CEZ dhe jo nga pala shqiptare”
Sa i përket vendimit nga gjyqtari i Shkallës së Parë, Llazër Sallaku në apelim thuhet se ka shkruar leksione teorike duke sqaruar termat por asnjë analizë minimale të fakteve.
”Të njëjtën qëndrim dhe analizë bën gjykata dhe për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale. Me faqe të tëra shkruan leksione teorike në lidhje me kuptimin dhe elementet e kësaj figure të veprës penale dhe pa arsyetuar se përse prokuroria nuk ka hetuar, nuk ka verifikuar dhe nuk ka administruar provat që provojnë dhe faktojnë akuzën.”
Po ashtu shtohet se sa i përket veprës penale të sipërcituar nuk janë pyetur personat të dyshuar për veprën penale si dhe të kallzuar po nga PS.
”Prokuroria nuk ka pyetur drejtuesit e kompanisë CEZ të cilëve u është dërguar e-mail , nuk ka hetuar se çfarë kontrate kishte Ndue Kalaj me kompaninë CEZ dhe cili ishte roli i tij në këtë privatizim.”
Mospyetja e personave të cilët dyshohen si autorë të veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike “si
i) Ndue Kalaj, Hamza Merxhani,
ii) drejtuesit e kompanisë CEZ në kohën e privatizimit,
iii) mos administrimi i kontratës së lidhur midis kompanisë CEZ me Ndue Kalaj,
iv)mosadministrimi nga prokuroria e dokumentacionit justifikues të transfertës së shumës 7 milion euro nga ÇEZ.a.s në favor të Ndue Nik Kalaj, dhe pse kjo shumë e përfituar nga ky shtetas është shumë herë më e madhe se sa shuma e përfituar nga Banka Botërore (IFC) nga ky proces privatizimi.
v) mos hetimi i rrethanave të njohjes së shtetasit Ndue Nik Kalaj me ish kryeministrin Sali Berisha dhe familjarët e tij.vi),Mosndërmarrja e veprimeve për hapjen e procesit gjyqësor ndërkombëtar kundër shoqërisë CEZ sh.a për mospërmbushje të detyrimeve të saj të përcaktuara në kuadrin rregullator specifik, duke dëmtuar pozitën mbrojtëse të shtetit në arbitrazhin ndërkombëtar të filluar vetëm nga CEZ dhe jo nga pala shqiptare, kanë çuar prokurorinë dhe gjykatën në zbatim të gabuar të ligjit material duke arritur në konkluzionin e gabuar të mosekzistencës së veprës penale.”
(BalkanWeb)