Instituti i Mjekësisë Ligjore dorëzon në Prokurori autopsinë përfundimtare në lidhje me vdekjen e 17¬-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Ekspertiza mjekoligjore, e administruar tashmë si provë në dosje, konfirmon vrasjen e të riut me fadromën, e cila ka qenë duke punuar me pirgun e mbeturinave, më 7 gusht 2016, kur ndodhi ngjarja, raporton “Panorama”.

Ardit Gjoklaj Sipas burimeve nga hetimi, në raportin e Mjekësisë Ligjore thuhet se vdekja e Ardit Gjoklajt ka ardhur si pasojë e shtypjes së trupit në sipërfaqe të gjerë, përfshi gjoksin, gjymtyrët e sipërme dhe kokën. Një tjetër interesant nga akti i ekspertimit, sipas hetuesve, është se mjekët ligjorë e kanë gjetur celularin e Ardit Gjoklajt “të ngulur” në trupin e të riut. I riu që punonte në mënyrë sezonale dhe pa siguracion në landfillin e Sharrës mësohet se e ka pasur në xhepin e rrobave në krahun e majtë të gjoksit aparatin celular, që është gjetur i shtypur dhe i ngjeshur në kraharorin e viktimës. Raporti i autopsisë nga Mjekësia Ligjore është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës pak ditë më parë, pasi ka vonuar thuajse dy muaj. Ai është bazuar në këqyrjen e trupit të të riut më 7 gusht 2016 dhe më pas në interpretimet e specialistëve dhe në analizat biologjikekimike që janë kryer më pas deri në finalizimin e aktit. Organi i Akuzës e kishte kërkuar disa herë këtë dokument, i cili përbën një nga provat kryesore të dosjes së Prokurorisë. Autopsia përjashton vrasjen nga rrëzimi, nga goditja me sende të forta apo mbretëse.

HETIMI
Nga ana tjetër, mësohet se grupi i hetimit ka marrë në pyetje rreth 30 dëshmitarë në total, nga të cilët gjysma e tyre janë punëtorë të landfillit, kolegë të Ardit Gjoklajt. Nga kombinimi i autopsisë së Mjekësisë Ligjore që shpjegon shkakun e vdekjes dhe deklarimet e dëshmitarëve, sipas Akuzës, konfirmohet se 17¬ vjeçari ka gjetur vdekjen gjatë punës në landfill. Vdekja e të riut, sipas Prokurorisë, ka ardhur nga goditja prej ekskavatorit me kovë të madhe metalike që drejtohej nga shtetasi Edmond Kallari, i cili natën e ngjarjes ka punuar nga ora 19:00 deri në orën 7:00 të mëngjesit të ditës tjetër, duke marrë mbetje dhe duke i çuar tek Elevatori.

“Rreth orës 5:00, ai ka lëvizur për 40 minuta nga vendi i punës për nga vendi ku ka punuar viktima nga transportieri i ri, siç deklaron shtetasja Z.B., ndërsa vdekja e shtetasit Ardit Gjoklaj ka ndodhur pas orës 3:30, pasi ai në këtë orë ishte kthyer ne punë me shtetasen Z.B. Këtë lëvizje të fadromës e ka deklaruar edhe roja i landfillit, shtetasi G.K. Procesi i punës së drejtuesit të fadromës është i tillë që ka gjithmonë përpara 4 punëtorë, të cilëve u dërgon plehra me kovën e fadromës dhe ata më pas me lopata bëjnë hedhjen e mbeturinave në transportier”, thekson Prokuroria./panorama
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: