Ish-­ambasadori Bashkim Zeneli në librin e tij “Për Gjermaninë, histori diplomatike dhe kujtime” sjell edhe kujtime nga takimet zyrtare mes përfaqësuesve të shtetit shqiptar dhe atij gjerman.
Një nga këto është edhe pritja që Kancelari Schröder i bëri kryeministrit të asaj kohe, Pandeli Majko në Bon në prill 1999, shkruan ‘Panorama’.


Diplomati rrëfen me detaje një dialog interesant mes Majkos dhe kancelarit Schröder, në të cilin kryeministri shqiptar bën dhe një kërcënim:


“Tani si thoni, do të na ndihmoni apo t’u drejtohemi aleatëve të tjerë!”, iu drejtua Majko kancelarit, deklaratë që shkaktoi tension në takim dhe u zbut falë ndërhyrjes së ambasadorit shqiptar në Bon, Bashkim Zeneli.


Zeneli tregon Steiner shënoi diçka në bllokun që kishte dhe ia nguli sytë kryeministrit.

“Menjëherë e mori fjalën Kancelari Schröder, shumë qetësisht e shumë i hapur: Unë ju kuptoj shumë mirë zoti Kryeministër Majko. Ju keni probleme, keni vështirësi, unë ju kuptoj shumë mirë. Ne kemi bërë sa kemi mundur, por do të bëjmë edhe më shumë”– shkruan Zeneli.

E pashë që nuk duhej të mbetej ajo fjalia, që tingëllonte si ultimative, “do të na ndihmoni apo….”I thashë zotit Majko, lehtë, se do të shtoj diçka, dhe iu drejtova në gjermanisht Kancelarit:
“Zoti Kancelar Federal, ju lutem mos na keqkuptoni, zoti Kryeministër nuk e kishte fjalën …ose na ndihmoni ose u drejtohemi të tjerëve…. Ne ju falënderojmë për mbështetjen e jashtëzakonshme. Gjermania është aleati ynë më i rëndësishëm në Europë. Unë e di shumë mirë se çfarë keni bërë dhe se çfarë po bëni për Shqipërinë. Ju lutem të mos mbesë asnjë keqkuptim. Shqipëria ka probleme shumë emergjente prandaj”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: