Dorëheqja e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, nuk do të jetë e vetmja për këtë qeveri. Burime pranë maxhorancës zbardhin debatin mes Edi Ramës dhe aleatit të tij, Ilir Meta, për ndryshimet në qeveri. Mësohet se kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim i ka kërkuar Kryeministrit të largojë ministrat që janë akuzuar në media dhe nga opozita për korrupsion, shkruan sot Panorama.


Kryetari i Kuvendit, duke iu drejtuar Kryeministrit të vendit, mësohet t’i ketë thënë se maxhoranca nuk ka pse të marrë përsipër koston personale të disa ministrave që janë përfolur për afera korruptive. Këmbëngulja e Kryeministrit Rama për të mos bërë asnjë ndryshim në kabinetin e tij qeveritar e ka detyruar aleatin e tij që të nisë me dorëheqje të ministrave të tij.


Nëse Kryeministri Rama nuk do të reagojë pas dorëheqjes së Naços, atëherë do të vijohet me dorëheqje të tjera. Mësohet se radha do t’i vijë një tjetër ministri. Nëse edhe pas këtij veprimi, nga Kryeministri nuk do të shihen reagime, një tjetër dorëheqje do të ketë në kabinetin qeverisës nga Lëvizja Socialiste për Integrim. I gjithë ky proces ndaj Kryeministrit për të larguar ministrat e përfolur për afera korruptive do të zhvillohet kur në Kuvend do të jetë duke u diskutuar paketa e dekriminalizimit dhe reforma në Drejtësi. Pas publikimit të progresraportit të Komisionit Europian ku vihet theksi në forcimin e luftës ndaj korrupsionit dhe të demonstrimi me fakte konkrete se kjo betejë po zhvillohet, kërkesa e Lëvizjes Socialiste për Integrim bëhet edhe më legjitime dhe e mbështetur dhe nga faktori ndërkombëtar.


(m.k/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: