Futbollisti i Partizanit Emiljano Vila para hetuesve ka pranuar vërtetësinë e bisedës së regjistruar në video-skandalin që menaxheri Drini Çaushi i kërkon lojtarit të tolerojë në ndeshjen kundër Kukësit. Hetimi i iniciuar nga policia e Tiranës është regjistruar tashmë si procedim penal edhe në Prokurorinë e Tiranës dhe kjo ka qenë arsye e marrjes në pyetje të futbollistit.

Para oficerëve të hetimit të krimit ekonomik dhe korrupsionit, Vila ka thënë se Drini Çaushin e ka të njohur prej vitesh, që prej kohës kur kanë qenë bashkë në Greqi, raporton “panorama sport.”

TELEFONATA
vila-470x313
Sipas Vilës, tri ditë para bisedës së regjistruar, Çaushi e ka telefonuar dhe i ka kërkuar të flisnin “vetëm për vetëm”. Vila thekson më tej se Çaushi i ka kërkuar që të shkarkojë aplikacionin IMO dhe të flisnin përmes këtij programi, gjë që futbollisti thotë se e ka bërë në telefonin e tij “Samsung S7”.

Po kështu, sipas dëshmisë, Vila ka qenë në dhomën e hotelit kur është zhvilluar biseda ndërsa Çaushi ia ka përsëritur se duhej të ishte vetëm, madje i ka kërkuar të hapë kamerën për të parë se vërtet nuk kishte persona të tjerë në dhomë. Gjatë kësaj bisede, sipas Vilës, Çaushi i ka kërkuar që “ai vetë ose shokë të skuadrës të shikonin mundësinë e tolerimit të kundërshtarit në ndeshje”.

Menjëherë pas kësaj bisede, Vila ka thënë para hetuesve se ka shkuar te presidenti i ekipit, duke e informuar në lidhje me këtë rast. Në referimin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës thuhet se është kërkuar marrja në pyetje e Drini Çaushit, por nga sistemi TIMS ka rezultuar se ai ndodhet jashtë Shqipërisë…!

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb