TIRANE – Në vendin ku ra avioni tip “Pipper’, i drejtuar nga italiani Guido Andrea Guidi, është konstatuar një pistë me gjatësi 1.5 deri në 2 kilometra, e cila rezulton të jetë punuar dhe sheshuar me mjete të tonazhit të rëndë ditët e fundit. Kjo pistë bëri që dyshimet e prokurorëve, për një rrjet trafiku drogë të shtohen ndjeshëm.

Policia shoqëroi pronarët e tokës ku është improvizuar pista, të cilët kanë deklaruar se e kishin dhënë tokën me qira prej disa kohësh. Sipas pronarëve, qiramarrësi e kishte sheshuar tokën prej rreth 2 javësh dhe kishte deklaruar se do ta përdorte si pistë hipizmi.

Avioni tip “Pipper”, i drejtuar nga italiani 69-vjeçar Guido Andrea Guidi, që ra një ditë më parë në grykëderdhjen e Ishmit, ndezi debatin për trafikun ajror të hashashit. Nga hetimet e para rezulton se avioni ka mbërritur në Godull në orën 08.45. në momentin e uljes, rrota ka pësuar dëmtime, por pavarësisht kësaj ekspertët thonë se piloti ka tentuar të largohet. Por gjatë kësaj tentative, ai ka dështuar, pasi rrota e avionit është këputur dhe mjeti ka rrëshqitur në gjendje të lirë përgjatë afro 100 metrave dhe ka ngelur në disa shkurre, pikërisht në grykëderdhjen e lumit Ishëm.

Mësohet se piloti italian Guido Andrea Guidi ka pranuar se e kishte ulur avionin në Ishëm për të testuar pistën, me qëllim që të kthehej më vonë për të transportuar 200 kg lëndë narkotike.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: