“Jam në ndjekje të një elementi kriminal. Është urgjente. Mos më regjistro dhe mos më pengo në punën time”. Me këtë justifikim, Vojsava Doda, oficere e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, arrinte të linte territorin e vendit dhe të udhëtonte në drejtim të Kosovës. Atje, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që drejtohej nga Selaudin Shahini, vidhnin automjete dhe pasi u ndërronin targat, i sillnin në Shqipëri.

Për të mos u pikasur në kufi, grupi shfrytëzonte oficeren e Operacionales, e cila teksa përballej me kolegët në pikën e kalimit kufitar në Morinë, prezantohej si agjente vëzhgimi dhe se ishte në aksion e sipër, dhe në kushte urgjence, ata nuk duhet të regjistronin hyrje daljet e saj. Herën e fundit, që pjesëtarët e grupit kriminal vodhën një automjet ne Kosovë, diçka e papritur ndodhi. Pronari i makinës Golf 7 po udhëtonte drejt Shqipërisë, kur në rrugën e Kombit pikas automjetin e tij. Ai njofton policinë e Rrëshenit, e cila nuk arrin ta ndalojë automjetin. Edhe policia e Lezhës, vihet në lëvizje, por se ndalon dot. Automjeti ndalohet në Kamzë.

Oficerja e policisë e cila drejtonte makinën e vjedhur kishte hyrë në pikën e kalimit kufitar në Morinë në orën 19.30 të mbrëmjes së 24 shkurtit. Punonjësi I policisë së pikës së kalimit kufitar Fatri Braha, tashmë nën arrest si i dyshuar, iu sqaroi hetuesve të gjithë situatën.

“Kanë qenë minutat e fundit të orarit të shërbimit, kur kjo shtetase në momentin e paraqitjes në kabinë, me nxori një dokument të Policisë së Shtetit me mu prezantua si agjente në vëzhgim e Sektorit të Forcës së Posaçme, në drejtorinë e Përgjithshme. Më relatoi se është në ndjekje të një procedure urgjente. E kam lejuar të kalojë pa u regjistruar në sistemin TIMS, për shkak të urgjencës. Të dhënat e saj dhe targat e automjetit i kam mbajtur shënim me mendimin që ti hedh më vonë në sistem”, tha në dëshmi Fatri Braha.

Pas bllokimit të automjetit, policia në kuadër të operacionit “Naciomal”, arrestoi kreun e dyshuar të grupit, Selaudin Shahini, k,ushëririn e tij, Ndricim Shahini, Ervis Carën, Aurel Shatrin, Vojsava Dodën, oficere e Operacionale, si dhe dy punonjësit e policisë, Endi Ahmetaj e Fatri Braha.

Sipas policisë Selaudin Shahini, i cili ishte në rolin e drejtuesit, në bashkëpunim me lidhje të tij familjare dhe shoqërore, kishte krijuar një rrjet personash që funksiononin si një grup i strukturuar kriminal, dhe trafikonin mjete motorike të vjedhura, nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

“Ndricim Shahini nëpërmjet lidhjeve të tij shoqërore në Kosovë, siguronte automjetet e vjedhura në këtë shtet. Trafikimi i këtyre mjeteve bëhej nëpërmjet PKK Morinë, dhe kalimin e tyre, e kryente shtetasi Fatri Braha, me detyrë punonjës Policie në stacionin e Policisë Kufitare Morinë, i cili nuk i regjistronte mjetet motorike që kalonin”, njoftoi policia. Pas arrestimit të shtatë personave, dosja iu kalua SPAK, pas dyshimeve se ata vepronin si grup i strukturuar kriminal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb