Zbardhet draft-opinioni i Komisionit të Venecias, ku thuhet se mbështet kërkesën e maxhorancës për zgjatjen e mandatit të organeve që kryejnë vettingun e njerëzve të drejtësisë, deri në date 31 dhjetor 2024. Gazetari Ergys Gjençaj ka siguruar për BalkanWeb dokumentin në fjalë.
Sipas Venecias, amendamenti kushtetues, për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik, është në përputhje me standardet ndërkombëtare. “Komisioni arrin në përfundimin se zgjatja e propozuar e mandatit deri më 31 dhjetor 2024 mund të konsiderohet se është në përputhje me standardet evropiane. Komisioni i Venecias qëndron në dispozicion të autoriteteve shqiptare për më tej ndihmë në këtë çështje”, -thuhet në raport.
Kujtojmë se opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias do të diskutohet e më pas do miratohet në sesionin e datës 10 dhjetor. Po ashtu Komisioni i Venecias u angazhua në këtë proces pas kërkesës së Kuvendit të Shqipërisë. Maxhoranca është shprehur më herët se qëllimi i ndryshimit kushtetutës është që të gjithë magjistratët, gjyqtarë dhe prokurorë t’i nënshtrohen të njëjtit standard kontrolli, pasi kalimi i verifikimit tek KLGJ e KLP do sillte ndryshim të metodologjikës së punës, si dhe mundësisht konflikt interesi.
(BalkanWeb)