Qeveria miraton projektligjin që parashikon ngritjen e burgjeve private në Shqipëri. Drafti u miratua në mbledhjen e së mërkures të Këshillit të Ministrave dhe pritet t’i kalojë Parlamentit për diskutim. Në nenet 15 e 16 të projektligjit, përcaktohet funksionimi i institucioneve të vuajtjes se denimit.


“Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë publike dhe private. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për funksionimin, administrimin, kontraktimin, si dhe rregullat që përcaktojnë elementet e sigurisë në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale”, thuhet në nenin 15 te projektligjit.



Sipas drafit të qeverisë, të dënuarit që mund të vendosen në burgjet private, duhet të mos jenë të dënuar me më shumë se 5 vjet heqje lirie. Gjithashtu në draft theksohet se nuk mund të kryejnë dënimin në këto burgje ata të dënuar, që me vendim të gjykatave, janë caktuar në institucionet e sigurisë së Lartë.

Por ndërsa Shqipëria po përgatitet të ngrejë burgjet private, në SHBA këto burgje janëmbyllur që në vitin 2016. Tre vite më parë Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi mbylljen e plotë të burgjeve private për të burgosurit federalë, për shkak të problemeve të hasura në këto institucione. Sipas një raporti të inspektorëve amerikane, në burgjet private ka pasur numër më të lartë të incidenteve të dhunshme, krahasuar me ato publike që menaxhohen nga qeveria.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb