TIRANE- Ndryshe nga sa është dyshuar deri tani se komisari i ekzektuar tre ditë më parë Artan Cuku i është kundërpërgjigjur me armë agresorit, ekspertiza e policisë tregon krejt të kundërtën. Policia e Tiranës ka zbardhur sot ekpertizën biokimike, e cila përjashton mundësinë që ish–Drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku, të ketë qëlluar me armë në momentin e vrasjes. Po ashtu ekspertiza tregon se Cukun e kanë qëlluar pas shpine.

Ekspertiza u bë në rrobat e Artanit dhe nuk janë gjetur faktorë plotësues në duart e rrobat e tij. Nga ekzaminimet shkencore nuk janë gjetur mbetje baruti, të cilat ngelën në dorë në rastet e qitjeve. Gjurmë të tilla janë konstatuar vetëm në vendet, ku ai ka patur plagë.

Sipas ekspertëve mjeko ligjorë, Artan Cuku është qëlluar me 4 plumba, 1 pas shpine, 2 në kokë dhe 1 në anën e djathtë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 7 gëzhoja, 5 të kalibrit 7.65 milimetër dhe 2 të kalibrit 9 milimetër.

Përgjigjet e ekspertizës shkencore kanë hedhur poshtë versionin e deritanishëm, sipas të cilit Cuku t’i ishte përgjigjur me armë atentatorit dhe ka shtuar dyshimet se kanë qenë dy persona që kanë qëlluar mbi 42 – vjeçarin.

Po sipas ekspetizës, plumbat në trup, në gjoks e në bark janë me hyrje në pjesën e shpinës me drejtim nga pas e me dalje para. Ekspertiza tregon se Artani nuk ka berë qitje vetë dhe ose ka një autor me dy armë, ose dy autorë me dy armë.

Që Cuku nuk mbante armë është pohuar edhe nga të njohurit e tij të cilët kanë dhënë se komisari kishte mbi 1 vit që nuk mbante pistoletë në brez, dhe as nuk ruhej. Banorë të pallatit dhe të bizneseve aty pranë kanë dëshmuar në polici se kanë parë dy persona të dyshimtë para vrasjes së ish–zyrtarit të lartë të policisë. Grupi hetimor dyshon se ata mund të kenë qenë vrasës me pagesë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: