Zbardhen detaje nga drafti i planit të ri të menaxhimit të parkut arkeologjik të Bylisit. Pas Butrintit dhe Spaçit, edhe parku arkeologjik i Bylisit propozohet të menaxhohet me fondacion me institucione të specializuara. Sipas skemës, themelues janë Ministria e Kulturës dhe institucioni i specializuar  ndërsa fondacioni do të ketë një bord, drejtor ekzekutiv dhe të punësuar janë “arkeologu, restauratori, muzeologu, laboranti, etj”.

Po ashtu, sot është mbajtur në Bylis një dëgjesë publike për planin e menaxhimit të integruar të parkut arkeologjik të Bylisit. Ilir Parangoni, “team leader” i projektit Bylis në AICS-së(Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim),  prezantoi në mënyrë të përmbledhur detaje nga draft-propozimi i ri, i cili sugjeron, menaxhimin me fondacion të parkut arkeologjik.

Bylissi
Bylissi

PJESË NGA DRAFTI I PLANIT TË MENAXHIMIT

Në planin që Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i dha “Balkanweb”,  thuhet se “Në kontekstin e nevojës për një menaxhim efikas të pasurisë kulturore të Bylisit dhe rrënojave në Klos, propozohet një qasje e re. Një fondacion i ngritur nga institucione të specializuara sugjerohet si një zgjidhje e përshtatshme për këtë fazë. Ky model synon të inkorporojë jo vetëm kontributet nga donatorët por edhe bashkëpunimin me sektorin privat. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të vijojë të mbajë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndërsa fondacioni i propozuar do të merret me menaxhimin e përditshëm, organizimin e aktiviteteve të ndryshme me karakter eduekues, evente, dhe promovime”, thuhet në draftin e prezantuar.

Sipas tij,  “misioni i këtij fondacioni të ri përfshin: Objektiva zhvillimore si promovimi kulturor dhe edukues i trashëgimisë, organizimi i shërbimeve turistike dhe zhvillimi i turizmit, si dhe gjenerimi i të ardhurave për të mbuluar shpenzimet operative dhe ato të jashtëzakonshme. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mbetet autoriteti kryesor në mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e trashëgimisë, me një institucion të specializuar të angazhuar në zhvillimin dhe menaxhimin e resurseve njerëzore dhe organizative”.

PROPOZIMI I RI

4339aa5b 4816 4ebf A51c Fe0b1a04330d
4339aa5b 4816 4ebf A51c Fe0b1a04330d

Të pranishëm në prezantim ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, arkeologë, përfaqësues nga bashkia Mallakastër, IKTK-ja, etj.

I pranishëm po ashtu ishte edhe Tomorr Luzati, i cili deri në muajin janar, ka qenë “team leader” i projektit “Bylis” në AICS (Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim). Gjatë dëgjesës publike ai  pyeti “ përse është ndërruar modeli i menaxhimit, nga menaxhim i drejtpërdrejtë publik në menaxhim me fondacion kur në pesë draftet e para propozimi ka qenë për administrim publik?”

Sipas dokumentacioni të vitit të kaluar, kur flitet për “strukturën administrative” vihet në dukje se modeli i administrimit i propozuar për Parkun Arkeologjik të Bylisit, është “menaxhimi i drejtpërdrejtë  publik me një numër të përgjithshëm prej 8 punonjësish”.

Në planin që Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i dha “Balkanweb”,  thuhet se në terma ekonomik dhe financiar, fondacioni i ri do të mbështetej së pari nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Institucioni i Specializuar si themelues të tij. “Fondet fillestare do të mbulonin shpenzimet e pagave të punonjësve, sigurinë fizike dhe kosto të tjera me vlerë të vogël, ndërkohë që fondet e projektit IPA 2018 të financuar nga BE (sunk costs) do të ndihmonin restaurimin e monumenteve arkeologjike në tre vitet e para si dhe aktivitete të tjerë për komunitetin. Si rrjedhojë e këtyre investimeve, fondacioni i ri do të ishte i gatshëm që të ardhurat përmes biletarisë, eventeve, apo donacioneve t’i përdorte për shpenzimet operative ku përfshihen funksionimi i përditshëm i sitit, financimi i gërmimeve arkeologjike, punësimin e komunitetit të zonës etj”.

Po në këtë plan,  thuhet se “Bordi i Fondacionit të ri do të emërojë një Drejtor të Përgjithshëm të përgjegjshëm për menaxhimin e të gjitha operacioneve të sitit, përmes një plani menaxhues dhe një strategjie pesë ose shtatëvjeçare investimi, e cila do të përditësohet vjet dhe do të miratohet nga MEKI. Fondacioni i ri do të ketë autoritet në të gjitha sferat e funksionimit që lidhen me mirëmbajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, përfshirë menaxhimin e vizitorëve, organizimin e ngjarjeve, menaxhimin e shërbimeve turistike, zhvillimin e kapaciteteve të brendshme, dhe angazhimin me komunitetin lokal etj..”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb