TIRANE – Fenomeni i ryshfetit nuk është një rrëfenjë, por një realitet i prekshëm, që ka ngërthyer universitetet shtetërore në vend. Një studim i organizatës “Mjaft” në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në vendin tonë ka përshfaqur dukshëm mbi ujë këtë problematikë. Janë pikërisht studentët ata që pohojnë nivelin e lartë të korrupsionit në institucionet ku studiojnë, duke ndezur kambanën e alarmit. Pesë universitetet publike, përkatësisht Universiteti i Tiranës, i Korçës, i Shkodrës, i Vlorës dhe Universiteti i Durrësit janë vënë “në shënjestër” të projektit “Iniciativa Studentore kundër Korrupsionit në Universitetet Publike” nga ku janë konstatuar gjetjet e mëposhtme.

KORRUPSIONI
Sipas të dhënave të studimit, 87.3% e studentëve kanë pohuar se ka korrupsion në fakultet. Po kaq e lartë është edhe shifra e atyre që kanë pohuar se kanë qenë vetë të përfshirë në dhënin e ryshfetit.

“Nga kjo anketë, 45.3% e studentëve janë shprehur se korrupsioni shfaqet më së shumti për të paguar provimet, e pasuar 30.2% për favorizim dhe më pak për sigurimin e shërbimeve te sekretaria dhe sigurimin e konvikteve. Duke e renditur pagesën për provimet si shkakun më të përhapur të korrupsionit, 63.5% e studentëve janë shprehur se arsyeja e pagesës është për të marrë klasën, 30.8% për të përmirësuar notën dhe 5.8% për të pasur shanse për të vazhduar studimet”, vë në dukje raporti. Të pyetur mbi arsyet që nxisin këtë fenomen, studentët kanë pohuar se kjo vjen prej mosrespektimit të rregullores. Shumë pak prej tyre mendojnë se kjo shkaktohet prej pagave të ulëta të pedagogëve. “41.5% e studentëve kanë shprehur moszbatimin e rregullores, 20.8% mentalitetin, 9.4% rezultatet e ulëta të studentëve dhe 7.5% nivelin e pagave dhe infrastrukturën e dobët”, thuhet më tej në raport.

Duket se universitetet e rretheve janë ato të cilat janë infektuar më së shumti nga fenomeni i ryshfetit. Një gjë e tillë pohohet edhe nga studentët, nga ku 55.8% prej tyre thonë se korrupsioni ekziston më shumë në universitetet e rretheve, sesa në kryeqytet. Por pagesa për provim është e pranishme edhe në Universitetin e Tiranës. Raporti vëren se në këtë institucion problem është edhe mungesa e pedagogëve gjatë orëve të mësimit.

STUDIMI
Studimi i “Mjaft” është ndërtuar mbi bazën e një pyetësori të hartuar me 23 pyetje gjatë periudhës shkurt-tetor të këtij viti. Veç treguesve mbi nivelin e korrupsionit, në fokus të tij ishte edhe liria e fjalës dhe veprimit, si dhe e drejta për t’u informuar. Mungesa e programeve zyrtare për degët e secilit departament, vështirësia e komunikimit me sekretaret përkatëse, ndryshimi i panjoftuar i datave apo orareve të provimeve janë disa nga shqetësimet e ngritura nga studentët. Në tabelat përbri janë të listuara gjetjet e raportit për secilin nga universitetet publike në vendin tonë.(Panorama)

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb