Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala në News24 ka sjellë të tjera detaje nga masakra në “Don Bosko” në lokalin e Fation Muratit si dhe dëshmi mbi minutat e tmerrit që kaluan qytetarët.
Por ndërsa në lokalin në pronësi të tij në Don Bosko, ndodhi një masakër, Fation Murati, pavarësisht se duhet të respektonte arrestin shtëpiak dhe po përballej me drejtësinë duket se ia kishte mbathur disa para masakrës nga Shqipëria.
Madje më herët ai kishte zgjedhur të sfidonte autoritetet ligjzbatuese, duke kaluar pikërisht nën hundën e tyre, duke thyer edhe masën e arrestit shtëpiak. Gjë që e vërteton edhe sistemi TIMS.
Nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi Fatjon Murati, i cili hetohet me masë sigurimi arrest në shtëpi, për një tjetër vepër penale, nga verifikimet në sistemin TIMS, del se ai është regjistruar me dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë më datë 19 Janar 2023, duke thyer në këtë mënyrë masën e arrestit. Pra Fatjon Murati sipas autoriteteve policore është larguar nga Shqipëria, afro dy muaj më parë.
Dhe policia nuk kishte asnjë informacion që ai kishte thyer masën e arrestit shtëpiak. Ose të paktën e ka fshehur këtë fakt.
Ndërsa me 7 Mars oficerët e policisë shkuan në vilën e tij luksoze që ndodhet vetëm 30 metra larg lokalit të masakrës duke i marrë firmën, por sesi ai hyri në Shqipëri askush nuk e thotë.
Hetimi duhet ta sqarojë sesi në janar Murati doli nga territori në rrugë të ligjshme ndërkohë që çdo punonjës policie do të duhej ta arrestonte. Ndërkohë që për t’u kthyer te masakra e Don Boskos dhe shkaqet që çuan, ajo që të gjithë tani besojnë është te kundërveprimi i ashpër i grupit të Ervis Martinaj. Mbretit të zhdukur të bixhozit, që nga muaji gusht I vitit 2022. Por që pavarësisht fantazmës së tij, mbetjet e grupi të tij treguan se ata janë aty, për të goditur sërish.