Ish-Kryeministri Sali Berisha, njëherazi edhe kryetar i PD-së do të paraqitet mesditën e së mërkurës në Prokurorinë Speciale, ku do t’i komunikohet akuza në lidhje me dosjen “Partizani”.

Gjithashtu në SPAK do të paraqitet edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, ndërsa Prokuroria Speciale duket se ka përfunduar hetimet brenda afateve, të cilat përfundojnë në 2 tetor.

Ndërkohë, gazetari i News24 Osman Stafa, referuar burimeve, ka siguruar një mesazh nga Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, drejtuar anëtarëve të Kryesisë dhe drejtuesve të strukturave të PD-së, që i kërkon mobilizimin për një protestë të fuqishme. Protesta pritet të organizohet para godinës së SPAK.

“Të dashur miq. Ditën e Mërkurë në ora 12:00 kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do shkojë pranë organizatës kriminale të SKAP.

Të mobilizohemi të gjithe maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtësisë”, thuhet në mesazhin e siguruar nga gazetari Stafa, që Flamur Noka ua drejton anëtarëve të Kryesisë dhe drejtuesve të strukturave të PD-së.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: