Kryedemokrati Lulzim Basha është takuar me Presidentin e ri të Partisë Popullore Europiane Donald Tusk me të cilin ka ndarë vullnetin për të përmbushur detyrimet që ka vendi për hapjen e negociatave.

Në një postim në “Facebook”, Basha shkruan se Tusk është një mbështetës i jashtëzakonshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e integrimit në BE.
Ai thotë më tej se ka gjetur mbështetjen e plotë dhe gatishmërin e Tusk për të ndihmuar në këtë proces transformimi rrënjësor të vendit, duke paraqitur edhe një mesazh të Presidentit të PPE.

“Pata kënaqësinë të bashkëbisedoja dhe t’i uroja suksese Presidentit të ri të Partisë Popullore Europiane, Donald Tusk, një mbështetës i jashtëzakonshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e integrimit në BE.
Ndava me Presidentin Tusk vendosmërinë time për të luftuar fort për plotësimin e të gjitha detyrimeve që vendi ynë ka për hapjen e negociatave, dhe për të bindur me rezultatet e punës tonë vendet skeptike, siç kemi bërë për anëtarësimin në NATO dhe heqjen e vizave.
Gjeta mbështetjen e plotë dhe gatishmërinë e Presidentit Tusk për të na ndihmuar në këtë proces transformimi rrënjësor të vendit tonë, duke vendosur në Shqipëri standardet e Bashkimit Europian, zgjedhje të lira dhe të ndershme, funksionimin e shtetit ligjor, barazinë para ligjit, luftën kundër korrupsionit, ndarjen e politikës nga krimi dhe zhvillimin ekonomik.
Presidenti Tusk theksoi se në një betejë politike, e vërteta dhe vendosmëria do të triumfojnë kundër lajmeve të rreme, manipulimeve dhe urrejtjes, ndërsa shprehu angazhimin për ta ndihmuar Shqipërinë të thotë të vërtetat e saj larg propagandës. Presidenti i PPE, mirëpriti ftesën time për të vizituar së shpejti vendin tonë”, shkruan Basha.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb