Policia greke ka zbuluar një grup kriminal që vidhte makina në Greqi dhe më pas i trafikonte ato përmes pikës së kalimit kufitarë të Kakavijës. 4 persona janë identifikuar si pjestarë të grupit kriminal, të drejtuar nga një 37-vjecar shqiptar, i cili prej një viti e gjysmë ndodhet në gjendje kome në spital pasi është plagosur me armë zjarri.

Polici greke ka zhvilluar operacionin në Nikea, Peristeri dhe Arhni ku ka arrestuar 3 prej personave të moshës 22, 45 dhe 68 vjec, ndërsa shqiptari 37-vjecar me emrin Sokol është i pavetëdijshëm për t’iu komunikuar masa e arrestit. Hetimi ka zbuluar vjedhjen e të paktën 8 makinave me vlerë totale rreth 215 mijë euro, prej tetorit 2022. Një pjesë e automjeteve, kryesisht fuoristrada të markave “Audi”, “Peugeot”, “Toyota” dhe “Citroen”, janë gjetur dhe kthyer pronarëve.

Grupi kriminal i vidhte makinat gjatë orëve të natës në Athinë. Pasi kanë kontrolluar për GPS, i kanë fshehur automjetet deri sa kanë arritur t’i pajisin me dokumentacion të falsifikuar. Me këto dokumenta ata i kanë kaluar automjetet në Shqipëri kryesisht përmes pikës së kalimit kufitar Kakavijë. Drejtues i grupit kriminal ishte 37-vjecari Sokol, i cili koordinonte punën e anëtarëve, kujdesej për ruajtjen e mjeteve dhe transportin e tyre në Shqipëri. 22-vjecari pasi merrte mjetet, i pajiste me targa dhe dokumentacion fals, si dhe ka kryer transportin e tyre në Shqipëri. Ndërkohë 45-vjecari grek P. P, biznesmen në fushën e shitjeve të makinave, në bashkëpunim me 68-vjecarin, ishin përgjegjës për sigurimin e numrave të rregjistrimit të mjeteve dhe hartimin e dokumentacionit dhe targave false.

Gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të operacionit u gjetën dhe sekuestruan 2 pistoleta imituese, 3 thika, celularë, celësa makinash, 21 mijë e 325 euro, leje qarkullimi dhe targa false, dokumente dhe vula për automjete, pajisje për falsifikimin e targave dhe një automjet i shtrenjtë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Kush është Sokoli, kreu i grupit kriminal

37-vjecari shqiptar, kreu i grupit kriminal të vjedhjes dhe trafikur të makinave, aktualisht ndodhet në gjendje kome në një spital grek. Në 29 gusht 2023, ai rezulton të jetë plagosur me armë zjarri në Arahnes të Athinës. Shqiptari Sokol, kishte një mosmarrëveshje me një shtetas ruso-grek, kur ky i fundit i është afruar duke debatuar. Kur është larguar, ruso-greku ka harruar në tavolinë cantën e tij me një pistoletë brenda. Këtë të fundit e ka marrë shqiptari dhe ka hapur zjarr ndaj 36-vjecarit, duke e plagosur në këmbë. Në tentativë për t’u larguar, Sokoli është përplasur me një kalimtar dhe i ka rënë arma nga dora. Armën ka arritur ta marrë sërish ruso-greku dhe ka hapur zjarr ndaj shqiptarit duke e plagosur në kokë. Të dy personazhet rezultojnë me precedentë penalë në Greqi për vrasje, pjesmarrje në organizata kriminale që kryejnë krime kundër pronës dhe trafik droge. 37-vjecari Sokol rezulton personazh me lidhje të forta në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb