Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri i cili u shpall fajtor për shpërdorim detyre më 19 shtator. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se nga 140 faqe dokument faktohet lidhja e qëndrueshme dhe e vijueshme mes Tahirit dhe Moisi Habilajt.

Në dokument, gjykata arsyeton se përse ish-ministri u shpall fajtor vetëm për shpërdorim detyre dhe jo për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.


“Gjykata për Krime të Rënda zbardhi zyrtarisht vendimin për ish-ministrin Tahiri që është dënuar në 5 vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 3 vite e 4 muaj e më pas u konvertua në shërbim prove. Sipas gjykatës ka prova që tregojnë një situatë marrëdhëniesh të qëndrueshme mes Tahirit dhe Moisi Habilaj.
Lidhja e qëndrueshme konfirmohet konkretisht jo vetëm me shitjen e automjetit ‘Audi’ por bëhet fjalë për shërbimet e vazhdueshme të kryera nga Artan dhe Moisi Habilaj, si automjeti ujor që u mor për riparim; përdorim i automjetit ‘Audi’ nga Tahiri dhe bashkëshortja e tij për disa raste edhe pse ishte shitur. Udhëtimi në të njëjtën kohë vajtje-ardhje në Itali i Moisi Habilajt dhe babait të ish-ministrit, Bashkim Tahiri që konfirmon se familja e Tahiri dhe familja Habilaj ka pasur kontakte të qëndrueshme.
Sipas Gjykatës ka pasur komunikime të shpeshta dhe të drejtpërdrejta telefonike të Moisi Habilaj me Eli Robon, një njeri i afërt i Tahirit që punonte drejtor në Ministrinë e Brendshme. Gjykata për Krime të Rënda thotë se mes Saimir Tahiri dhe Moisi Habilaj ka pasur marrëdhënie të qëndrueshme por se Tahiri nuk rezulton i përfshirë direkt në trafik droge. Por për shkak të shpërdorimit të detyrës ka krijuar situatë të tillë që grupi Habilaj të ishte i lirë për të trafikuar tonelata drogë drejt Italisë. Bëhet fjalë për 20 ton hashash. Tahiri ndryshe nga sa bisedohet mes anëtarëve të grupit kriminal nuk ka përfituar dhurata si pjesëtar i grupit kriminal. Ndërkohë Tahiri në deklaratat e tij ka mohuar se ka pasur njohje dhe kontakte të drejtpërdrejta me Habilajt”, tha gazetarja Lala.


  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb