TIRANË- Këshilli i Ministrave ka vendosur sot të akordojë një fond shtesë për Ministrinë e Brendshme që kap vlerën e 1.6 mld lekëve të vjetra, të cilat do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga vendimet gjyqësore për viktimat e 21 janarit.

Sipas kësaj VKM-je, paratë i akordohen Gardës së Republikës, e cila është e paditura nga familjarët e viktimave të 21 Janarit dhe që do të shlyejë detyrimet sipas vendimeve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

VENDIM PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2017, MIRATUAR PËR MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME, NGA FONDI REZERVË I BUXHETIT TË SHTETIT, PËR SHLYERJEN E DETYRIMEVE QË RRJEDHIN NGA ZBATIMI I VENDIMEVE GJYQËSORE PËR VIKTIMAT E NGJARJES SË 21 JANARIT 2011

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
1. Ministrisë së Punëve të Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, i shtohet fondi prej 160 011 479 (njëqind e gjashtëdhjetë milionë e njëmbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekësh, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore për viktimat e ngjarjes së 21 janarit 2011, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.

2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, akordohet për Gardën e Republikës së Shqipërisë, për shlyerjen e detyrimeve sipas vendimeve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

3. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb