SPAK ka përfunduar hetimet për grupin kriminal të Erzen Breçanit, ish-zv/drejtor i Policisë së Tiranës dhe Dedan Gjonit, ish-shef i komisariatit nr.6 në Tiranë dhe ka dërguar dosjen në GJKKO. Nga përgjimet që ndodhen në dosjen e SPAK zbulohet se Dedan Gjoni, i arrestuar më 21 nëntor të vitit të kaluar së bashku me Erzen Breçanin, ka shërbyer si informator i grupeve kriminale dhe personave të lidhur me botën e krimit, por njëkohësisht i përfshirë edhe në narkotrafik.
Dedan Gjoni akuzohet nga SPAK si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka prova se Dedan Gjoni është përfshirë në një vrasje të mbetur në tentativë. Gjoni akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin kriminal të Rexhep Arapit, i njohur ndryshe si “Kep Arapi” për të vrarë një person. Urdhri për krimin u dha nga Holanda. Ish-efektivi ka thirrur në komisariat objektivin dhe i ka thënë Rexhep Arapit dhe grupit të tij se çfarë ore do e lironte nga ambientet e policisë. Ish-shefi i Komisariatit i ka nisur grupit kriminal foto të shënjestrës, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur. Autorët janë tërhequr nga atentati për rrethana që nuk dihen dhe krimi nuk ndodhi. Implikimi i Dedan Gjonit rezulton i provuar përmes mesazheve në “Sky Ecc”.
Ndërsa e Erzen Breçanin, SPAK e akuzon si të përfshirë në trafik droge së bashku me djalin e tij, Eralbi Breçani. Paratë e fituara nga veprimtaria kriminale, Breçani i investonte në ndërtime HEC-esh, të cilat janë sekuestruar bashkë me pasuri të tjera si llogari bankare e automjete luksoze. Në GJKKO, Breçani i ka mohuar akuzat duke deklaruar se ndodhej pas hekurave për shkak të djalit të tij.
Para trupës gjykuese ia ka deklaruar se e ka këshilluar të birin, Eralbi Breçani që të mos merrej me gjëra të paligjshme. Ndërsa ka thënë se vetë i ka shërbyer shtetit edhe duke vënë jetën në rrezik.
“Nëse jam në burg jam prej djalit. E kam këshilluar të mos merret me gjëra të paligjshme. Nuk e di ça ka bërë, nuk kam prova me ça merret im bir. Vetë i kam shërbyer këtij shteti, ku kam vënë edhe jetën në rrezik”, ka thënë Breçani duke përmendur edhe aksionet policore dhe personazhet që ka arrestuar”.
Më tej, sipas dosjes së SPAK, Erzen Breçani dyshohet se ka përkrahur vrasësin me pagesë dhe të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani, pasi i jepte informacione si t’i shpëtonte prangave të policisë.
Disa javë më parë gjykata e nxori nga qelia Erzen Breçanin duke e çuar në arrest shtëpie, për shkak të gjendjes shëndetësore.
Pjesë nga dosja e SPAK:
‘’Përkrahja e autorit të krimit; Të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur shtetasin Nuredin Dumani i cili ishte në kërkim për kryerjen nga ana e tij të disa veprave penale shumë të rënda, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të pandehurit Cenaj dhe Ajeti kanë strehuar dhe ndihmuar shtetasin Nuredin Dumani me qëllim që t’i shmanget drejtësisë në një moment kur për këtë person ishte caktuar një masë sigurimi nga gjykata. I pandehuri Erzen Breçani ka konsumuar veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal, duke i dhënë informacione Bujar Ajetit si dhe Nuredin Dumanit në mënyrë që t’i shmangen arrestimit nga policia gjyqësore.
Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë sekuestruar si produkt i veprës penale, ndër të tjera, disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat i janë bashkëngjitur akteve të dërguara për gjykim si më poshtë:
1-Shoqëria “HEC DRITA ENERGY”, me NIPT L99524601K, me pronar “R.O.S.P Breçani” shpk, i emëruar administrator për një periudhë kohore nga data 23.09.2019 deri në 23.09.2024 shtetasi Eralbi Breçani, me objekt veprimtarie “Ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimi i hidrocentralit DRITA, ku përfshihet financimi, projektimi, ndërtimi, vënien në punë, prodhimi, furnizimi, transmetimi, shpërndarja, eksportimi dhe shitja e energjisë elektrike sipas kontratës për “ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e hidrocentralit DRITA, me kapacitet prodhues 1.980 MË, në lumin e Gashit, degë e lumit Valbonë, Bashkia Tropojë, Qarku Kukës. Shitja e elektricitetit të prodhuar në Shqipëri dhe jashtë saj, blerje dhe shitje të pajisjeve për ndërtim HEC-i (tubacione çeliku, turbina, shtylla betoni, aksesorë të tjera, etj., brenda dhe jashtë vendit)”, me adresë në Kukës-Tropojë, rruga Dragobi, lumi i Gashit, dega e lumit Valbonë”;
2- Automjeti markës “Audi”, modeli “RS Q8”, vit prodhimi 2020;
3- Automjeti i markës “Mercedez Benz”, modeli “G350d”, vit prodhimi 2017;
4- Llogari bankare në shumën prej 75.000 (shtatëdhjetë e pesëmijë) euro.
Ndërkohë, për personat e tjerë nën hetim, bashkëpunëtorë në kryerjen e veprave penale të mësipërme, për të cilët nuk janë ekzekutuar akoma masat e sigurimit të miratuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për fakte të tjera kriminale, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake’’
(BalkanWeb)