Nga: LUAN RAMA-Në tekste të ndryshme historike, duke iu referuar kohës së Ali Pashë Tepelenës, shpesh autorë të ndryshëm shqiptarë u janë referuar korrespondencave të Napoleon Bonapartit me pashain e Janinës si dhe diplomacisë së këtij pashai. Por a është eksploruar gjithçka mbi Shqipërinë në kohën napoleoniane dhe kontributin e tij veçanërisht për veriun shqiptar? Kur u drejtohesh marrëdhënieve të Napoleonit me Shqipërinë dhe shqiptarët, njëherësh të vjen në mendje se një ekspozitë eksploruese në Muzeun Kombëtar do të na jepte mundësinë për të hedhur më shumë dritë dhe me dokumente origjinale rreth kësaj figure. Madje, kjo do të sillte rrjedhimisht dhe atë që kjo marrëdhënie të zinte një kënd të veçantë në stendat e muzeut historik. Padyshim që letra dërguar vëllait të pashait të Shkodrës Karamahmut Pashës është nga më domethënëset… Madje, shumë detaje dhe burime të shkruara na shtyjnë të besojmë se Napoleon Bonaparti ka qenë edhe në Shqipëri. Gjatë “Fushatës se Spanjës”, në një çast kur sapo ka hyrë në tokën spanjolle, në fshatin Vergara, në rrugën që të çonte drejt Tolosa-s, Napoleoni kishte shkruar në ditarin e tij: “Rruga, është e keqe. Fshatarët të kallin frikën dhe kanë në kokë një kapuç të çuditshëm. Të gjithë janë të veshur me guna të errëta dhe kanë këpucë si ato të shqiptarëve…”. Kjo dëshmi përvijohet dhe nga ajo që shkruan kronisti i Napoleonit, Las Casas kur shkruan në ditët kur perandori ishte internuar në ishullin e Shën Helenës: “Shkova dhe e takova në kopësht ku qëndronte akoma. Vazhdonte të ishte i trishtë, indiferent dhe disi i hutuar. Bertrandit (mareshallit) i tregoi për qëndrimin e tij në Konstantinopojë në vitin 1796, udhëtimin në Athinë dhe kthimin e tij përmes Shqipërisë. Folën shumë për sulltanin Selim i III-të…”
Bonaparti në
trojet shqiptare…
Sa herë kisha dëgjuar rreth origjinës arbëreshe të Napoleonit vija buzën në gaz duke menduar se imagjinata e atyre që mbronin këtë tezë shkonte aq larg, sa merrte përmasat e një legjende, apo trilli romanesk. Në fakt, ata që e kanë hedhur këtë tezë janë mbështetur në librin me kujtime të dukeshës d’Abrantes si dhe një thënie të presidentit francez Adolph Thiers se “Napoleoni ka qenë me origjinë arbëreshe”. Deri më sot biografët më të mëdhenj të Napoleonit e kanë lënë jashtë interesit këtë tezë, duke mos dashur të shkojnë gjer në rrënjë të largëta të shekullit XV-XVI-të. Për ata është e rëndësishme se ai ishte një korsikan që e deshi Francën dhe iu përkushtua asaj, duke u bërë një nga heronjtë më të lavdishëm i të gjitha kohërave. Informacione të historianëve shkojnë gjer në prejardhjen gjenoveze, atëherë kur Korsika varej nga Republika e Gjenovës (ku ishin dozhë disa shqiptarë të familjes Durazzo, për dy shekuj me radhë), si dhe nga një dokument i vjetër që lidhet me përçapjet e babait të Napoleonit për të marrë një dëshmi titulli fisnikërie nga pushtetarët e atëhershëm të Toskanës, si fisnik i atyre trojeve. Pra, historianët francezë asnjëherë nuk i kanë kushtuar aq rëndësi prejardhjes së largët të Napoleonit, pasi bëmat e tij ishin aq të mëdha, betejat ishin aq të lavdishme dhe themelimi i një shteti të ri ishte aq vendimtar, saqë asnjë biograf deri më sot nuk ka arritur ta japë të plotë figurën e tij në gjithë dimensionin e vet. Si të thuash ky personazh është identifikuar me historinë e Francës që nga çasti kur ai shkoi në betejat e para e gjer në fundin e tij tragjik dhe enigmatik në ishullin e Shën Helenës ku mbahej rob nga anglezët, armiqtë e tij të përjetshëm.

Por a ka bazë ideja se Napoleoni kishte prejardhje nga gjaku i shqiptarëve? Personalisht nuk do ta hidhja poshtë si një pyetje që i bëhet historisë, por nuk besoj se është e vërtetë, por unë do ta formuloja ndryshe, në atë se “prejardhja e Napoleonit ka mbetur enigmë”. Edhe një nga biografët më të mëdhenj të Napoleonit, francezi André Castelot, duke iu referuar dëshmive të dukeshës d’Abrantes, nënvizon thëniet e saj se “nëna e Napoleonit, Laetizia Ramolino, kur binte fjala për prejardhjen e tyre humbiste në një mori emrash që s’kishin të sosur…”. Asnjë historian nuk e thotë me siguri se ai ishte korsikan, gjenovez, toskanas, apo nga Mani i Greqisë i banuar atëherë plotësisht nga arvanitas, siç e thotë dhe shkrimtari dhe historiani francez Michel de Grèce në librin e tij ‘Bubulina’. Natalie Petiteau, historiane franceze dhe mjeshtre konferencash, pohon se “Bonaparti kishte një prejardhje gjenoveze, familje e cila ishte shpërngulur dhe ishte vendosur në Ajaçio të Korsikës në shekullin e XV”. Memoires (Kujtimet) e dukeshës d’Abrantes janë pra në zanafillë të prejardhjes arvanitase të familjes së Napoleonit. Po cila ishte kjo dukeshë dhe ç’lidhje kishte me Bonapartin? Historiani francez Gerard Walter, në një botim të “Pleiade”, thotë se Laure Permon, (1784-1838), – emri i saj i mëparshëm – ishte vajza e një tregtari ushqimesh që u pasurua nga tregtia e mallrave ushtarake gjatë fushatës ushtarake të Amerikës. Në kthim ai iu fsheh terrorit që u vendos më vonë dhe shkoi të fshihej në Bordeaux, ku dhe vdiq. Zonja Permon mbeti e ve bashkë me vajzën e saj, Laure. Ato bënin një jetë mondane në Paris dhe shpejt, Laure do të njihej me një nga besnikët e Bonapartit, kolonelin Junot. “Junot, i cili kishte luftuar me Bonapartin që në orët e para, e ndoqi gjeneralin dhe në ‘Fushatën e Egjiptit’. Në kthim ishte Bonaparti që firmosi martesën e tyre, duke u dhuruar një prikë prej 100 mijë frangash, si dhe një shportë të mbushur me 40 mijë franga. Ajo ishte veçse 17-vjeçare dhe shpejt ishte bërë një nga femrat më spikatëse të Parisit: pra ajo arriti të bëhej gruaja e komandantit ushtarak të Parisit!

I shkruam këto radhë për të treguar se familja d’Abrantes ishte mjaft e lidhur me Napoleonin dhe familjen e tij. Madje, dukesha d’Abrantes ishte nga më të afërtat e motrave të Napoleonit dhe e nënës së tij Laetizia, çka do të thotë se një dëshmi e saj nuk është një trill, por një realitet që e ka gjetur brenda familjes Buonaparte dhe në tregimet e tyre familjare, edhe pse Napoleoni nuk ka folur asnjëherë për një prejardhje të tillë. Historia njeh shumë personazhe që gjatë jetës së tyre nuk e kanë pasur të nevojshme të pohojnë origjinën e tyre të vërtetë, duke u mjaftuar me atë që përjetonin për së gjalli. Në Memorialin e Shën Helenës të kronistit Las Casas, i cili e ndoqi perandorin në ishullin e Shën Helenës, ai shkruan dhe për fjalët që i kishte thënë Napoleoni mbi dukeshën d’Abrantes: “Zonja Junot ishte princeshë e familjes Comnene. Ishte nga Korsika dhe jetonte pranë nesh. Madje, familja e saj kishte mjaft detyrime ndaj nënës sime. Në fakt ishin gjeneovezët që kishin sjellë nga Mani i Greqisë një familje maniotësh dhe i kishin vendosur në Ajaçio. Njëri nga ta, fermer, shkoi në Versajë dhe u lidh me gruan e ish ambasadorit francez në Konstantinopojë, zonjën de Vergennes. Pikërisht nga kjo familje rridhte zonjusha Junot…”.

Vetë Napoleoni na jep një dëshmi mjaft interesante: që ajo rridhte nga arvanitasit e fshatit Mani, ç’ka duket se n’a vërteton dhe shkrimin e d’Abrantes për historinë e takimit të maniotëve të Peloponezit me Napoleonin. Ç’kishte ndodhur në të vërtetë? Dukesha d’Abrantes në kujtimet e saj, duke folur për “Fushatën e Italisë” të Bonapartit, (ai ende nuk ishte bërë perandor), tregon se dy nga shefat luftëtarë të Manit, kishin ardhur të takonin Bonapartin. Beu i Manit i kujtonte Bonapartit prejardhjen e tij nga ato anë (pra Bonaparti kishte gjak maniot), duke i kërkuar ndihmë për të sulmuar turqit në trevën e Peloponezit. Njëkohësisht, Bonaparti do të gjente përkrahjen totale të tyre. Pas kësaj, Bonaparti, që ishte në Milano dha urdhër të niseshin drejt Manit dy vëllezërit Stefanopuli, Dimo dhe Nikola. Ata u nisën dhe u pritën nga prijësi i Manit të lirë, Zanet Beu”. Se ç’ka ndodhur pas atij takimi nuk kemi ndonjë të dhënë, por dimë angazhimin e Napoleonit për të shtënë në dorë ishujt e Qefalonisë dhe Peloponezin, edhe pse atje ishin flotat ruse dhe angleze. Shtojmë se dhe zonja d’Abrantes ishte nga familja Stefanopuli (Josephine Laura Permon Stephanopuli De Comnene). Askush nga historianët nuk ka shkruar për këtë takim, pasi askush nuk ka patur kohë të rrëmojë në morinë e arkivave të ushtrisë, të cilat janë të pafund dhe jeta e një njeriu nuk do të mjaftonte për t’i parë të gjitha ato. Është historia e një epopeje legjendare dhe e krijimit të shtetit të vërtetë, të cilin e trashëgojnë sot francezët: Shtetin e së Drejtës!

Napoleoni dhe shqiptarët

Historia e regjimentit shqiptar nën flamurin e Napoleonit, të vendosur në Korfuz me 6 batalionet, dy ndër të cilët të komanduar nga Marko Boçari dhe Noti Boçari, është tashmë e njohur. Historiani A. Bopp në librin e tij ‘Napoleoni dhe shqiptarët’ tregon dhe për marrëdhëniet e Napoleonit me Ali Pashën. Megjithatë, fakte të reja dhe të panjohura tregojnë se Napoleoni i vlerësonte shumë shqiptarët dhe tregonte një interes të veçantë për pozicionin gjeografik e strategjik të Shqipërisë. Madje, për një periudhë mjaft të shkurtër, vetëm në muajin qershor 1806, nga leximet që kam patur, jam informuar për shumë letra të Napoleonit rreth Shqipërisë. Sigurisht, atëherë Napoleoni, që kishte shtabin e tij në pallatin e Saint-Cloud, pranë Parisit, kërkonte të siguronte zotërimet në Adriatik. Eugene, birin e Zhozefinës, Napoleoni e kishte caktuar Mbret të Italisë. Më 11 qershor 1806, ai i shkruan të birit, princ Eugene, për organizimin e ushtrisë: “Jam i informuar se mjaft ushtarë në Dalmaci, në Istri dhe në Friul janë të paarmatosur. Veç tyre, duhet të jenë dhe dy regjimente në Shqipëri si dhe një kompani artiljerësh francezë dhe një tjetër me italianë… Forcat tona duhet të zënë pozicion në Kotorr… Gjenerali Lauriston është guvernator i Dalmacisë dhe i Shqipërisë. Ai do të lidhet drejtpërdrejt me ju. Ai do të ketë nën urdhrat e tij gjeneralin Bourbon, i cili do komandojë në Kotorr, dy gjeneralë të tjerë si dhe një shef batalioni. Meqë ka 18 oficerë, ai duhet të formojë 6 kompani me nga 100 ushtarë secilën të cilët do të rekrutohen në Shqipëri. Kështu do të kemi një trupë prej 600 ushtarësh. Drejt Shqipërisë dërgoni dhe një shef karpentier me dhjetë ndihmës francezë e italianë…”.

Një ditë më vonë po nga Saint-Cloud, ai i shkruan gjeneralit Lemarois, ku i kërkon ndër të tjera t’i dërgojë gjeneralit Lauriston barut, të transportuar me barka të vogla, të cilat duhet të shmangin kryqëzorët rusë. “Nëse mbreti i Napolit të kërkon ndihmë, dërgoi polakë e korsikanë. Vendosni postblloqe në Peskara dhe patrulloni nëpër Dalmaci e Shqipëri”. Më 19 qershor, ai i shkruan ministrit të tij të Jashtëm, Talleyrand: “Ja përgjigja që duhet t’i bëni letrës së Ali Pashës, ku duhet t’i thoni se: – Jam i informuar për dëshirat e tij të mira; – se e mora me shumë kënaqësi shpatën e tij; – se jam mik i Portës së Lartë dhe se e vlerësoj atë; – se duhet menduar sesi t’i bëjmë zap serbët dhe t’i përmbajmë grekët, të cilët janë ndihmës të vërtetë të Rusisë; – se ai mund të mbështetet në ndihmën time; – se duke qënë se një pjesë e Flotës është nisur drejt Amerikës dhe nga nevoja për të bërë një inkursion të mundshëm drejt Anglisë, aktualisht nuk mund të çojë para Korfuzit një flotë të barabartë me flotën ruse dhe angleze dhe se për këtë nuk duhet nxituar; – se Rusia ka vendosur të ma lërë Kotorrin dhe se në këtë mënyrë unë do t’i japë pashait gjithë ndihmën e duhur; – se anijet e tij janë të mirëpritura në portet e perandorisë dhe se urdhëroj t’i bëhen dhurata atij që i shërbeu anijes ‘Ylli i Bonapartit’. Mbi dhuratat, për të cilat kam akorduar në shumën 60 mijë franga, të bisedohet me Marescalshi. Për këtë i shkruani dhe Pukëvilit (Pouqueville) dhe i theksoni se nëse Korfuzi bie në duart e mia, nuk mund t’i a besoj atë më mirë se sa Ali Pashës. Duhet që letra dhe instruksionet e mia të bëhen të tilla që të mos kuptohen qartë nëse bie në duart e agjentëve. Besoj se Ali Pasha shumë gjëra i bisedon dhe me Portën e Lartë”.

Napoleoni e ndjente se sigurimi i Adriatikut ishte një nga kushtet për fitoren. Më 20 qershor ai i shkruante sulltanit Selim për tentativat e rusëve që t’i shkëpusin nga perandoria Serbinë, Moldavinë dhe Valakinë dhe se për këtë duhet t’i pengojë anijet ruse që të kalojnë nga Bosfori. “Ne do ta ndihmojmë hirësinë tuaj si shpërblim të zotërimeve dhe interesave tona në Dalmaci dhe Shqipëri”. Po atë ditë, ndër të tjera, ai i shkruante gjeneralit Lauriston: “Më dërgoni disa informacione rreth Dalmacisë dhe Shqipërisë”. Një ditë më vonë ai shtonte se “duhet të mbani lidhje me agjentët e mi pranë Ali Pashës dhe pashait të Shkodrës. Interesohuni që të kini të dhëna se ç’bëhet në Serbi dhe provincat rrotull…”.

Napoleoni ndiqte në ethe edhe veprimet në zonën e Ballkanit. Më 28 qershor, ai i shkruan përsëri princit Eugene për veprime të ndryshme ushtarake. “Qëllimi im është që të shtyp malazezët që s’janë më shumë se 30 mijë frymë. Ata mund të kenë veç 4-5 mijë forca. Për këtë mund të merremi vesh me pashain e Shkodrës. Kur ta gjykojë të nevojshme, gjenerali Lauriston të dërgojë gjeneralin Guillet që të depërtojë në trevat malazeze, t’i çarmatosë ata dhe me katolikët e Kuvendit të mbushë radhët e tij dhe të ngrejë një fortesë në pikën strategjike, duke bërë që territori të mbrohet nga pashai i Shkodrës… Paqja me malazezët është e pamundur, nëse nuk i shtypim dhe nuk mbjellim tmerr në shpirtin e tyre…”.

Nga gjithë këto letra duket qartë lidhja dhe shpresa që mban Napoleoni me dy pashallarët shqiptarë prej shumë vitesh, veçanërisht që nga viti 1796. Madje, faktet për pashain e Shkodrës janë mjaft interesante. Ai i kërkon të birit që të dërgojë në Shqipëri dhe një batalion tjetër prej 800 ushtarësh. “Do të jetë një përforcim i nevojshëm në Shqipëri ku do të ketë 22.400 italianë, pa llogaritur topçinjtë dhe xhenierët. Kërkoj ta mbështesësh Dalmacinë dhe Shqipërinë dhe t’u bësh luftë malazezëve…”. Po atë ditë, ai i shkruan dhe mareshallit Berthier, mikut të Pukëvilit dhe njeriut që u muar me regjimentin e shqiptarëve në Korfuz. “Kushëriri im! Jepi urdhër zv/lietnantit Choiseul të shkojë në Shqipëri. Ky oficer edhe pse shumë i ri, ka marrë dekoratën e Legjionit të Nderit dhe këtë duhet ta meritojë gjithnjë duke luftuar. Nëse në armatat tona ka oficerë të tillë të rinj të dekoruar, dërgojini në Dalmaci dhe në Shqipëri”.
Në muajin e “fructidor” të vitit V, shkruhet në historinë e Bonapartit (Histoire de Bonaparte, premier Consul de la République Française), qarkullonte në Paris një letër që pashai i Scutari-t (Shkodrës) i kishte dërguar gjeneralit Bonaparti, si dhe përgjigjja e këtij të fundit dërguar pashait. Ja letrat në fjalë:
Letra e Ibrahim Pashës (vëllai i Karamahmutit): “Zoti është i madh dhe veprat e tij të mrekullueshme.
Kryegjeneralit Bonaparti, mbrojtës i ligjit të shenjtë, njeriut të fuqishëm të Republikës franceze; gjeneralit të gjeneralëve, fitimtarit sublim të krahinave të Italisë, kryegjeneralit, besnikut, të shumëvyerit dhe mëshirëplotit, mirëbërësit Bonapart: atij ia drejtoj këtë letër të shkruar: Princit të gjeneralëve, që të plotësohen urimet tona që miqësia jonë të jetë e përjetshme, dhe përshëndetja ime t’u vijë e sinqertë dhe të informohem për gjendjen e lumtur të shëndetit tuaj etj. I kërkoj mirësisë tuaj mbrojtjen e njerëzve të mi, tregtarë që udhëtojnë drejt Venedikut, që të mos cenohen si ata ashtu dhe mallrat e tyre nga ndonjë njeri; që tregtarët e Shkodrës, njerëzit e mi, të trajtohen mirë, të mbrohen dhe të nderohen. Dëshiroj t’u jap provat e miqësisë së vazhdueshme. Kjo letër le të jetë për ju shprehje e mirënjohjes time ndaj jush. Zoti është i madh dhe veprat e tij të mrekullueshme. Që miqësia që na bashkon të mos ndalojë kurrë!

Në ditët e para të Mabaram, viti 1272 i hegire.”
Bonaparti, Pashait të Shkodrës:
“E lexova me shumë kënaqësi letrën tuaj dhe shprehjet lavdëruese në fjalët e Shkëlqesisë suaj. Republika franceze është vërtet një mike e Portës Sublime, por ajo vlerëson në mënyrë të veçantë kombin shqiptar që është nën pushtetin tuaj. Shkëlqesia juaj do të gjejë bashkëngjitur kësaj letre urdhrat që kam dhënë, që në të ardhmen, flamuri osman të respektohet në Atlantik. Turqit do të trajtohen jo vetëm si kombet e tjera, por në një mënyrë prioritare. Në çdo rast unë do t’i mbroj shqiptarët dhe do të kem kënaqësinë t’i jap Shkëlqesisë suaj një provë të vlerësimit që ju bëj si dhe të konsideratës që kam për ju.
I lutem Shkëlqesisë suaj të pranojë si shprehje të miqësisë time këto katër arka me pushkë që ju dërgoj”.

Dalmacia, brigjet më poshtë të Shqipërisë, nga Tivari e Kotorri gjer në Korfuz, duke zbritur pastaj drejt Prevezës e Artës, ishin pjesë e shtrirjes së influencës së tij. Oficerë të shumtë zbarkuan, si në Janinë pranë Ali Pashës, ashtu dhe në Shkodër. Madje në luftën e Karamahmut Pashës kundër malazezëve, pashai ishte shoqëruar nga një grup oficerësh të zgjedhur të Napoleonit, të cilët u vranë në befasi, bashkë me Pashain. E kësaj kohe është dhe letra e shumë kohëve më parë, dërguar nga shtatmadhoria e tij në Milano, më 16 gusht 1797, drejtuar Ibrahim Pashës, vëllait të Karamahmutit, që pas vdekjes së tij mori frenat e pashallëkut të Shkodrës: “Lexova me një kënaqësi të jashtëzakonshme lëvdimet tuaja në letrën e dërguar. Republika Franceze është një mike e vërtetë e Portës së Lartë. Por ajo çmon në mënyrë të veçantë kombin trim shqiptar, i cili është nën pushtetin tuaj. Me dhimbje mora vesh atë çfarë i ndodhi vëllait tuaj të famshëm. Ky luftëtar i patrembur e kurajoz meritonte një vdekje të denjë si vetë ai. Ai vdiq nga një vdekje që vdesin veç trimat. Madhëria juaj do të gjejë bashkëngjitur me letrën dhe urdhrin që kam dhënë tashmë, që anijet me flamurin otoman të udhëtojnë nëpër Adriatik. Jo vetëm që turqit do të trajtohen si kombet e tjera, por ata do të trajtohen në një mënyrë të veçantë… Megjithatë, në të gjitha rastet, unë do t’i mbroj shqiptarët dhe do të ishte kënaqësi për mua t’i jepja Madhërisë suaj një shenjë të vlerësimit tim dhe të konsideratës sime të lartë. Si shenjë miqësie, do të dëshiroja të pranonit këto katër arka me pushkë, që po ju dërgoj. Bonaparte”.

Të njëjtën kopje të letrës ai ia dërgon dhe ministrit të tij të Jashtëm, Talleyrand, me shënimin: “Pushtimi ynë i Korfuzit, Zantes dhe Qefallonisë kërkon që të lidhemi me pashallarët e ndryshëm të Shqipërisë. Ky popull i simpatizon shumë francezët.”
Po nga shtatmadhoria e ushtrisë në Milano më 30 korrik 1797, Bonaparte i shkruante gjeneralit Gentili: “Do doja të viheshit në kontakt me Pashain e Shkodrës, në mënyrë që ta ndihmonim nëse Sulltani do të ndërmerrte diçka kundër tij…” Më 23 dhjetor të po atij viti, Bonaparte i shkruan presidentit të Direktoratit Ekzekutiv francez, zotit Barras: “Që kur kemi shtënë në dorë disa nga ishujt jonianë, ne jemi mirëpritur nga ana e Ali Pashës së Janinës dhe pashait të Shkodrës, nga turqit në Moré, por dhe nga vetë Porta e Lartë dhe kanë shfrytëzuar rastin që të na bëjnë të qartë vlerësimin e veçantë që kanë për francezët…” Disa muaj më vonë, më 19 shkurt, ai i shkruan gjeneralit Berthier, që është dhe ministër i Luftës: “Porositeni Muratin që t’i shkruajë Ali Pashës në Janinë për t’i bërë të njohur se kam një ndjenjë miqësie për të dhe se dua të kem një korrespondencë direkte me të…”
Shqipëria

Deri më sot nuk dimë se Napoleoni ka qenë në Shqipëri. Por disa të dhëna historike të fundit tregojnë se kjo mund të jetë e vërtetë. Por data nuk është saktësuar, madje as vendi konkret se ku, në ç’vend të Shqipërisë. Sigurisht, periudha njihet: është ajo e vitit 1796, si dhe më pas, gjatë “Fushatës së Italisë” kur Bonaparti ishte komandant gjeneral. Por cilat janë këto fakte?
Në shkrimet e mia, dy janë faktet e deritanishme që flasin për këtë dhe që lidhen me botimin e kronistit Las Casas, Memoriali i Shën Helenës, i mbajtur nga ai gjatë kohës së burgimit të Napoleonit në Shën Helenë. Por së pari, cili është Las Casas, i cili i ka lënë historisë franceze një nga botimet më autentike dhe të treguar nga vetë Napoleoni? Në fakt ai nuk ishte një nga besnikët e tij më të mëdhenj apo një nga gjeneralët e tij më trima. Madje ai u gjend rastësisht në mjedisin e pushtetit dhe pikërisht atij i ra roli që të negocionte me anglezët (kapitenin Maitland) ikjen e Napoleonit nga Parisi për në portin francez Rochefort, nga ku bashkë me 30 personalitete të tjera, ai e shoqëroi atë më pas në anijen “Bellerophon” drejt Shën Helenës. Las Casas nuk kishte dhunti letrare. Ai veçse ka mbajtur shënim çka i thoshte Napoleoni. Por sidoqoftë, ai nuk mungon të shkruajë për gjendjen e perandorit, marrëdhëniet e tij me anglezët dhe njerëzit e ishullit. Perandori lexonte Evangjilin dhe recitonte pjesë nga Corneille, të cilat i dinte përmendësh. Nga Racine çmonte Andromakën dhe Britanicus, nga Homeri “Odisenë”…. Kishte gjithnjë besim në Revolucionin francez, për të cilin thoshte: “Asgjë nuk mund t’i shuajë principet e mëdha të Revolucionit”. Ja çfarë shkruan Las Casas në kronikat e tij lidhur me Shqipërinë: “E premte, 17 (1816). “Gjithë natën kam qenë sëmurë. Perandori hëngri në kopsht. Pastaj më thirri pranë. Kishte një pamje të trishtë dhe të dërrmuar. Nuk ishte aspak mirë. Pas drekës ne shëtitëm rreth shtëpisë për një kohë të gjatë. Nuk fliste. Nga vapa e madhe nga ora një u detyrua të kthehej në shtëpi. I vinte keq që rrotull nuk kishte hije fare. Nga ora katër pasdite, dërgoi dikë që të më shihte nëse isha ende sëmurë. Shkova dhe takova në kopsht, ku qëndronte akoma. Vazhdonte të ishte i trishtë, indiferent dhe disi i hutuar. Bertrandit (mareshallit) i tregoi për qëndrimin e tij në Kostantinopojë në vitin 1796, udhëtimin e tij në Athinë dhe kthimin e tij përmes Shqipërisë. Folën shumë për sulltanin Selim III-të…”
Në një pasazh tjetër, Las Casas mban shënim historitë që tregon Napoleoni për jetën e tij dhe luftërat e shumta. Një të diel, duke kujtuar me të Greqinë dhe ngjarjet rreth saj, Napoleoni i thotë: “Greqia priste një çlironjës. Dhe kjo do të ishte një kurorë e bukur lavdie…” Las Casas shton: “Ai donte ta shkruante emrin e tij krah Homerit, Platonit dhe Epaminondës…” Dhe nuk ishte larg kësaj. Napoleoni vazhdon: “Kur isha buzë Adriatikut gjatë Fushatës së Italisë, i shkrova Direktoratit se para syve të mi shtrihej perandoria e dikurshme e Aleksandrit… Më pas krijova lidhje dhe me Ali Pashën. Përgatita kështu hartat e Maqedonisë, Serbisë dhe të Shqipërisë…”

Napoleoni ishte një strateg i madh dhe ai e dinte mirë se Adriatiku ishte një avant-post i fuqishëm kundër austriakëve dhe gjermanëve, prandaj dhe donte ta kishte nën komandën e tij. Por akoma më i jashtëzakonshëm është një shkrim deri tashmë i panjohur i Napoleonit që lidhet me kohën kur ai ndërmori Fushatën e Spanjës, fushatë që është reflektuar njëkohësisht në tablotë e Gojas. Në një moment kur sapo ka hyrë në tokën spanjolle, në fshatin Vergara, në rrugën që të çonte drejt Tolosa-s, ai kishte shkruar në ditarin e tij: “Rruga është e keqe. Fshatarët të kallin frikën dhe kanë në kokë një kapuç të çuditshëm. Të gjithë janë të veshur me guna të errëta dhe kanë këpucë si ato të shqiptarëve…”

Sigurisht, Napoleoni nuk mund t’i njihte këpucët e shqiptarëve nëse nuk do të kishte qenë në Shqipëri, kur rruga e kthimit nga Athina nëpër Shqipëri i kishte dhënë mundësi të vizitonte viset e jugut shqiptar e të dilte në bregdet, nga ku me anije është larguar drejt brigjeve të jugut të Francës.

Shqetësimi për të siguruar mbështetje dhe në brigjet shqiptare është i përhershëm tek Bonaparte dhe në vitet në vazhdim. Shqipëria për të paraqiste një vend strategjik. Më 23 maj të vitit 1801, Bonaparte i shkruan ministrit të tij të Jashtëm, Talleyrand: “Ju lutem qytetar-ministër që të lidheni me qytetarin Charbonnel, komandant i batalionit të artilerisë, dhe ta çoni me mision pranë Ali Pashës për të njohur qëndrimet e këtij Princi, nëse është gati të ndihmojë lëvizjen në Greqi.” Më 24 janar 1807, vëllai i Napoleonit, Josephe, mbret i Napolit, i shkruan perandorit: “Madhëri… sapo i dërgova dy anije me gjithçka që më kërkoi pashai i Janinës. Kam dërguar barut, gjyle dhe topa…” (Napoleoni donte ta vinte kundër rusëve, ndërsa pashai shpresonte se ai do t’i jepte ishujt jonianë dhe së pari Korfuzin). Disa muaj më vonë, më 15 qershor 1807, Josephe i shkruan përsëri Napoleonit: “Madhëri… Pashai i Janinës më ka dërguar një oficer duke më ofruar një regjiment shqiptarësh. Duket se është shumë i angazhuar kundër rusëve. Por unë tani s’kam nevojë për shqiptarët…” Një vit më vonë, më 26 janar 1808, Napoleoni i dërgon një tjetër letër Josephe-it, duke iu referuar shqiptarëve: “I shkrova Portës së Lartë se nëse anglezët arrijnë të zbarkojnë në Korfuz, ushtria jonë e Dalmacisë është gati të niset nga Kotorri dhe të përshkojë territoret e Ali Pashës për të mbërritur para Korfuzit. Do të kem atje 20.000 ushtarë që nga Butrinti do të kalojnë lehtësisht në Korfuz, do të bashkohen me garnizonin tonë atje, duke hedhur në det ata që i kanë rrethuar… Marmont ka dërguar një konsull në Berat dhe unë i kam kërkuar Aliut (për çka e kam urdhëruar me anë të Portës së Lartë), që tartarët të vendosen nga Butrinti deri në Kotorr meqë janë të shpejtë për të komunikuar”. Sigurisht, shkrimet për Shqipërinë janë të shumta. Ato janë gjetur nga lexime të rastësishme, por një punë e vërtetë studimore meriton të bëhet në këtë drejtim.
Nuk ka veçse pak vjet që një botim i shtëpisë botuese franceze “Seuil” botoi ditarin e Napoleonit, që pretendohet se është origjinal. Një specialiste e Mesjetës, Odette Dossios Pradat, e kishte gjetur atë dorëshkrim me shkrimin e Napoleonit në një antikuar, ku ishte mbyllur në një sënduk të “Kompanisë së Indisë” dhe për shumë e shumë vjet kishte qëndruar në errësirë dhe i panjohur. Dorëshkrimi nuk kishte emrin e Napoleonit, por ai fliste në vetën e parë dhe tregonte bëmat e tij. Ajo mundi ta shkëpuste ditarin për pak ditë nga antikuari dhe të kopjonte me shpejtësi një pjesë të mirë të dorëshkrimit të vjetër, por antikeri ia kërkoi shpejt, pasi ai dyshoi se duhet të ishte diçka e vyer. Sigurisht, i premtoi se do ta lejonte ta studionte përsëri, por çuditërisht disa ditë më pas, ai vdiq dhe bashkë me të u zhduk dhe dorëshkrimi. Libri i botuar është mjaft interesant. Napoleoni ndihet tejet i vetmuar dhe i fyer… Perandori shkruan: “2 maj 1816. Një ishull i humbur në mes të oqeanit nën një qiell pa fund. Një ishull i varfër dhe i zhveshur, i mbrojtur më mirë nga një kryqëzor anglez sesa nga përbindëshat e tmerrshëm të humbëtirave. Një ishull pa mure, pa hekura e zinxhirë, por që është një nga më të pathyeshmit. Një ishull ku robi duhet ta braktisë shpresën që mbajnë në zëmër të gjithë të burgosurit e botës: ajo për të shpëtuar. Një ishull që një ditë mund të jetë varri im: Shën Helena…”
*Studiues

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb