TIRANE – Institucioni i Presidencës akuzon qeverinë se ka përdorur standarde të dyfishta lidhur me pushimet verore të kryetarit të shtetit, Bujar Nishani, në rezidencat qeveritare, që këtë vit iu refuzuan. Disa dokumente ndër vite zbulojnë se si ish­presidentët e mëparshëm Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, jo vetëm që nuk kanë pasur pengesa për të pushuar
në vilat qeveritare, por edhe nuk kanë kërkuar leje.
Siç tregojnë shkresat që publikon sot gazeta “Panorama”, kabineti i Moisiut dhe Topit nuk merrnin leje, por vetëm sa vinin në dijeni Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për datat e pushimit ose për ndonjë defekt të mundshëm që duhej rregulluar patjetër, para se presidentët të shkonin në rezidenca. Ndërkaq, referuar deklarimeve në “Panorama” të Kamelia Vojkës, drejtoresha e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ), e cila zbardhi një korrespondencë me arsyet pse Presidentit Nishani nuk iu vunë në dispozicion vilat qeveritare, ka reaguar kabineti i Presidentit të Republikës.
“Duke qenë se drejtoresha e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ) ka deklaruar për gazetën “PANORAMA” se nuk ka asnjë problem dhe paqartësi në lidhje me shërbimet e saj ndaj Presidentit të Republikës për pushimet në rezidencat qeveritare, kabineti i Presidentit të Republikës denoncon shkeljen flagrante të ligjit nga kjo drejtori dhe më konkretisht VKM­në nr.34, dt.07.01.1999. Është jashtë çdo etike normale institucionale të gënjesh opinionin publik dhe median për përmbajtje që nuk ekzistojnë të vendimit që pretendon kjo drejtoreshë”, thekson kabineti Presidencial, ndërsa bën të qartë se Vojka e ka cunguar zbardhjen e korrespondencës Presidencë- Qeveri lidhur me këtë çështje.
“I kërkojmë drejtoreshës së DSHQ-së të publikojë përmbajtjen e plotë të VKM-së, nr.34, dt 07.01.1999 dhe të shpjegojë pse e ka shkelur atë. Është jashtë çdo morali qytetar dhe institucional t’i tregosh kreut të shtetit derën e godinave të pabanueshme. I kërkojmë kësaj drejtorie të publikojë të gjithë korrespondencën për çështje të ngjashme të ish-Presidentit Topi dhe ish-Presidentit Moisu me këtë drejtori. Duke qenë se kjo drejtori është në varësinë direkte të Kryeministrit (jo Këshillit të Ministrave), i jemi drejtuar për të rivendosur zbatimin e ligjit kabinetit të Kryeministrit, që nuk ka marrë asnjë masë korrigjuese”, shprehet institucioni i kryetarit të shtetit.
Sipas kabinetit të Presidencës, veprimet e DSHQ-së në lidhje me këtë rast janë në shkeljeje flagrante të ligjit dhe praktikës institucionale.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb