DIVJAKE – Punimet për rikonstruksionin e digës së rezervuarit të Divjakës, kanë rezultuar edhe me gjetjen e një sasie municionesh luftarake, si predha, granata e fishekë.

Për këtë arsye, Bordi i Kullimit në Fier, ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve nga firma kontraktore, si dhe ka njoftuar në mënyrë urgjente, Drejtorinë e Policisë Fier, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

“Nga informacioni i marrë zyrtarisht, sot më 14.10.2016, nga firma zbatuese e punimeve BE-IS Shpk, e cila ka lidhur kontratën e sipërmarrjes së punimeve për Rikonstruksionin e Objektit të Rezervuarit të Divjakës, rezulton se gjatë zbatimit te punimeve në fazën e zbrazjes së rezervuarit, janë vërejtur municione luftarake si, si granata dhe fishekë. Në rrugë telefonike kemi orientuar firmën zbatuese që të bëjë pezullimin e punimeve, deri në një moment konfirmimi dhe zgjidhje të situatës. Në mënyrë që të mos vihet në rrezik jeta e punëtorëve në objekt, e njerëzve të zonës përreth, kërkojmë ndihmën e specialistëve që janë në varësinë e dikasterit tuaj, për vlerësimin e risqeve potenciale që ndodhen në këtë zonë, si dhe konfirmimin tuaj për rifillimin e punimeve në këtë objekt”, thuhet në shkresën dërguar sot Drejtorisë së Policisë Fier, Ministres së Mbrojtjes Kodheli dhe Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: