I vetmi rast në tërë karrierën ushtarake që Kiço Mustaqi i ka thënë “Jo” eprorit, ka qenë refuzimi i urdhrit për të komanduar Ushtrinë kundër popullit, e cila ishte ngritur për të shembur regjimin komunist.

Ishte fillimi i viteve ’90 dhe ministri i fundit i epokës diktatoriale, i kryqëzuar nga presione të frikshme, zgjodhi të sakrifikojë karrierën dhe prestigjin politik, për të ruajtur emrin e mirë dhe nderimin e atyre që e njihnin dhe kishin punuar me të për vite e dekada me radhë. Nga çastet e divorcit me urdhërdhënësin ka mbetur e memorizuar përgjigjja e prerë e tij: Ushtria është për të ruajtur integritetin e Atdheut dhe jo për t’iu kundërvënë popullit! Që nga ky moment, Kiço Mustaqi iu rikthye jetës së zakonshme me të njëjtën dashuri për njerëzit e thjeshtë. Dhe kudo u mirëprit me respekt e ngrohtësi. Përtej këtij momenti dramatik, kolonel Muharrem Dardha, ish-shef i kabinetit të Kiço Mustaqit kur kryente detyrën e kreut të Mbrojtjes, tregon për gazetën “Panorama” mbresat e tij nga koha kur është njohur dhe ka punuar me ish-ministrin e Mbrojtjes, i cili u përcoll dje për në banesën e fundit me nderimet e dhjetëra e qindra ish-ushtarakëve dhe qytetarëve të Tiranës dhe Delvinës…

Zoti Muharrem! Ju keni punuar disa vite në kabinetin e Kiço Mustaqit, kur kryente detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe atë të ministrit të Mbrojtjes. Çfarë kujtoni nga bashkëpunimi me të?

Kiço Mustaqi ishte dhe do të mbetet ushtaraku me një karrierë brilante, si rrallëkush tjetër në historinë e Ushtrisë moderne shqiptare. Ai i ka kaluar natyrshëm dhe suksesshëm të gjitha shkallët e karrierës, nga komandant toge, kompanie, batalioni, brigade, korpusi dhe deri në shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe ministër i Mbrojtjes. Unë kam pasur rastin të bashkëpunoj me të. Për disa vite rresht, që nga viti 1984 dhe deri në vitin 1992, punova në Sektorin e Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, nga specialist, shef dege dhe në fund shef i këtij sektori, një strukturë kjo që i shërbente drejtpërsëdrejti ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, duke filluar që te përgatitja dhe ndjekja e zbatimit të planeve të punës në ministri, ndjekja e kërkesave dhe ankesave që drejtoheshin në dikaster, zbatimi i ligjshmërisë dhe i rregullave të drejtshkrimit në përpilimin e dokumenteve zyrtare (akte ligjore e nënligjore), përgatitja e analizave dhe mbledhjeve të ndryshme që zhvilloheshin në ministri e në SHP dhe deri te dinamika shkresore që hynte e dilte nga MM. Kjo më ka dhënë mundësinë të njihemi nga afër dhe të them të drejtën ruaj shumë kujtime dhe vlerësime pozitive për të, si një drejtues i lartë ushtarak me aftësi të dukshme, mjaft serioz dhe autoritar, shumë punëtor, i drejtë në gjykim dhe që dinte të komunikonte me vartësit.

Megjithatë, në daljet publike dukej shumë autoritar dhe i ashpër…

Në pamje të parë Kiçoja të krijonte idenë e njeriut të ashpër, por nëse punoje nga afër me të, ai ishte krejt ndryshe: i afërt dhe i thjeshtë, që të dëgjonte me kujdes dhe që të krijonte një atmosferë të ngrohte e të çlirët pune. Për vetë funksionin, më ka qëlluar shpesh të isha anëtar i grupeve të punës në përgatitjen e raporteve të analizave të punës apo materialeve të tjera në aparatin e ministrisë. Ai i vlerësonte shumë këto momente dhe udhëhiqte vetë personalisht punën.

Më kujtohet se, pasi përgatitej një draft-raport, ai do ta shikonte me shumë vëmendje atë, duke bërë ndërhyrje për probleme të veçanta që mendonte se duheshin trajtuar më thellë dhe të dilte më mirë përgjegjësia. Si një ushtarak karriere, ai kishte njohje të thellë të jetës dhe veprimtarisë në ushtri, në të gjitha strukturat e saj dhe si i tillë dinte të paraqiste arritjet, por edhe dobësitë që konstatoheshin në kohë e në periudha të ndryshme. Kiço Mustaqi qëndroi për gati një dekadë në krye të lidershipit në Ministrinë e Mbrojtjes.

Njëherazi ishte i zgjedhur në forumin më të lartë të partisë në pushtet, por edhe deputet në Kuvendin Popullor, ku shpesh kumtonte për probleme të ndryshme. Në të gjitha këto raste, mesa kujtoj, ai ulej e përgatitej vetë dhe jo siç ndodhte rëndom me “shefat e mëdhenj”, që përdornin “Demkat” për të përgatitur ato që do flasin në forume apo takime publike.

Kiço Mustaqi ka qenë ministër i Mbrojtjes kur ndodhi rebelimi në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Cili ishte roli i tij në ato ngjarje të bujshme?

Kiço Mustaqi pati fatin (të mirë apo të keq) të ishte në krye të Ushtrisë në momentet më të vështira të saj, kur regjimi po rrëzohej dhe po ngrihej një sistemi i demokracisë pluraliste. Kanë qenë ditë, javë e muaj mjaft të vështirë, ku nëpër rrugët e Tiranës dhe të qyteteve të tjera të vendit zhvilloheshin protesta dhe demonstrata të fuqishme, shpesh edhe të pakontrolluara, dhe që tronditën rëndë rendin me shkatërrimet që sollën. Për fat të keq, përplasjet binin edhe mbi Forcat e Armatosura, duke u akuzuar deri edhe për përgatitje për grusht shteti. Kjo ishte një akuzë krejt e pavërtetë, madje dashakeqëse për Ushtrinë dhe ushtarakët shqiptarë. Kiço Mustaqi, duke qenë në krye të Ushtrisë, diti që t’u përgjigjej me maturi dhe gjakftohtësi këtyre shpifjeve dhe kontribuoi, mesa mundësi kishte, që Ushtrinë ta mbante larg këtyre konfrontimeve politike. Kështu ndodhi me ngjarjet e shkollave ushtarake apo edhe kur në mbrojtje të figurës së ushtarakut u konfrontua me ish-Presidentin Alia, fill pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës…

Ka pasur konflikt me Ramiz Alinë për përdorimin e Ushtrisë kundër protestave popullore?

Këtë e kam ndjekur nga afër. Disa ditë pasi ishte rrëzuar monumenti, Ramizi erdhi në Ministri të Mbrojtjes dhe bëri një takim me tërë ushtarakët e lartë. Aty i tërhoqi vërejtje Kiços, pasi sipas tij, kishte mbajtur Ushtrinë në pasivitetet përballë turmave që protestonin. Dhe Kiçoja, aty për aty u çua, dhe me ton iu përgjigj: Ushtria dhe ushtarakët shoku Ramiz, janë për të ruajtur integritetin e vendit dhe jo për t’u përballur me njerëzit në protestë. Çdo urdhër tjetër jashtë këtij misioni komprometon rëndë jo vetëm rolin e tyre, por sjell pasoja të jashtëzakonshme për shoqërinë. Kaq ishte përballja e tyre dhe nga ky moment, Kiço Mustaqi nuk u ul më në karrigen e ministrit. Që këtej pastaj, ish-ministri shkoi refugjat, si shumë shqiptarë që u rendën dyerve të Europës për një jetë më të mirë. Punoi disa vite rresht si roje në një parking në Athinë dhe vitet e fundit ishte rikthyer në Tiranë.

Tjetër, çfarë do të veçonit nga periudha kur punonit bashkë në ministri?

Për mua, Kiço Mustaqi mbi të gjitha ishte model i njeriut të ndershëm dhe të thjeshtë. Më kujtohet si një rast unikal, fakti që ai edhe pse ishte shef i SHP-së dhe më pas edhe ministër i Mbrojtjes, çdo ditë vinte shpejt në punë dhe kafenë e mëngjesit e konsumonte në klubin e ministrisë me oficerë të thjeshtë. Ishte i pranishëm në çdo rast gëzimi apo fatkeqësie te vartësit e tij. Gjithnjë i komunikueshëm dhe larg pozave të zyrtarit të rëndësishëm. Kështu edhe kur u largua nga detyra e lartë dhe bëri punë të zakonshme. Edhe kohët e fundit e shihje mes shokëve dhe miqve të tij ish-ushtarakë, ashtu të thjeshtë dhe njerëzor, si i barabartë mes të barabartëve. Ndaj dhe lajmi për vdekjen e tij është pritur me dhimbje nga të gjithë ushtarakët që e kanë njohur dhe kanë punuar me të. Kjo u duk qartë edhe në homazhet që iu bënë në një ambient të thjeshtë, gati në periferi të Tiranës, ku gjithsesi, qindra ish-ushtarakë, miq dhe shokë të tij i bënë nderimin që i takonte…

Lamtumira e ministrit të fundit të regjimit komunist

Iu dha dje lamtumira e fundit Kiço Mustaqit, ish-ministrit të fundit të Mbrojtjes të regjimit komunist, që ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 81-vjeçare. Morën pjesë në përcjelljen e tij me qindra ushtarakë dhe qytetarë të Tiranës. Në homazhet për nder të jetës dhe veprës së Mustaqit mori pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Bardhyl Kollçaku, dhe zyrtarë të tjerë nga strukturat drejtuese të Forcave të Armatosura. Kiço Mustaqi ka qenë një oficer karriere, që ka shërbyer në shumë zona të vendit. Për disa vite rresht ka qenë kreu i shtatmadhorisë ushtarake dhe në periudhën 1990-1991 ka kryer detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1974, Mustaqi u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin Popullor dhe e mbajti këtë mandat për tetë legjislatura. Në Kongresin e 9-të të Partisë Komuniste, në nëntor të vitit 1986, ai u zgjodh kandidat i Byrosë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe përfundimisht u ngrit në detyrë në korrik 1990 si anëtar i Byrosë Politike, ku qëndroi deri në qershor të vitit 1991./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb