Lëvizja Demokratike e Kosovës ka nisur spastrimin e personave problematikë nga radhët e saj. Largimi i tyre është bërë me arsyetimin  se kandidimi i tyre bie ndesh me parimet demokratike dhe ato ligjore. Mediat kosovare raportojnë se Haki Raqi nuk do të jetë kandidat i LDK-së për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit. Ky është vendimi kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa, pasi u raportua se Raqi rezulton se ka kryer vepër penale.

“Çdo kandidat i LDK-së që identifikohet se ka pasur dhe ka problem me ligjin do të nxirret nga lista për deputetë të LDK-së. Do të veprohet sipas ligjit edhe për z. Raqi”, ka thënë Mustafa.

Raqi bashkë me dy zyrtarë të tjerë të Obiliqit kishin nënshkruar marrëveshje të pranimit të fajësisë me Prokurorinë, më 8 dhjetor 2015, ndërsa përmban nënshkrimet e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinës, prokurores së rastit dhe 3 të akuzuarve, raporton Ekspres.

Me këtë marrëveshje është përcaktuar që prokurori i shtetit t’ia bëjë me dije gjykatës se të akuzuarit Zejnullah Krasniqi, Haki Raqi dhe Bajram Paloji pajtohen të dënohen me burgim prej 5 muajve, në mënyrë që ai me pëlqimin e tyre të shndërrohet në dënim me gjobë siç është përcaktuar me dispozita ligjore. Gjykata pranoi sot këtë marrëveshje mes prokurorisë dhe 3 të akuzuarve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb