TIRANE- Zbulohet emri i porositësit të vrasjes të ish-kryekomisarit Artan Cuku që u ekzekutua në hyrje të pallatit të tij. “BalkanWeb” mëson se bëhet fjalë për Bledar Jambellin, nga Fieri.


37-vjeçari është shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të Gjykatës për Krime të Rënda, e cila ka caktuar për të masën e arrestit me burg. Kërkimet policore për kapjen e tij deri me tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Artan Cuku u vra për shkak të detyrës në 8 prill 2017 në hyrjen e pallatit ku banonte në rrugën e Kosovarëve në Tiranë. 42-vjeçari gjeti vdekjen e menjëhërshme, ndërsa dy muaj pas vrasjen u arrestua autorit i dyshuar Mikel Shallari.


Ka dyshime se Jambelli i ka dhënë Mikel Shallarit, personi që qëlloi me armë ndaj kryekomisarit, një shumë prej 3 mijë eurosh.


Bledar Jambelli nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi akuzohet edhe për dy vrasje të tjera në vitin 2006. Ndërkohë në vitin 2012 Jambelli u arrestua pikërisht nga Artan Cuku, pasi gjatë asaj kohe drejtonte policinë e Vlorës. Arrestimi ndodhi fill pas vrasjes së Armando Delajt, por pavarësisht dyshimeve, Bledar Jambelli rifitoi lirinë.

Vetëm dy javë pasi u arrestua Mikel Shallari, 24-vjeçari nga Kuçova teksa pranoi vrasjen e Cukut, tregoi emrin e personit që porositi krimin, por që Prokuroria dhe Policia e mbajtën të fshehtë deri më tani për shkak të sekretit hetimor.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: