Shkencëtarët kanë raportuar se gripi i shpendëve është gjetur tek fokat për herë të dytë në muajt e fundit në një nga kolonitë më të famshme të Anglisë.
Virusi u gjet në 15 foka të ngordhura gjatë testeve të fundit në Blakeney Point, Norfolk, tregojnë shifrat e qeverisë.
Stafi në “Laboratorin Kombëtar të Referencës së Influencës së Shpendëve” ka kryer teste të mëtejshme pasi dy foka gri rezultuan pozitive në Blakeney Point në shkurt, raportoi BBC.
Rezultatet, të publikuara nga Agjencia e Shëndetit të Kafshëve dhe Bimëve dhe Departamenti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale, tregojnë se më shumë se 15 nga 40 kufomat e fokave të testuara kanë rezultuar pozitive.
Shkencëtarët thanë se nuk mund të ishin të sigurt se gripi i shpendëve ishte “shkaku i vetëm i vdekjes”.
“Gjithsej 40 foka të ngordhura u morën nga vendi dhe 37.5 përqind (15) prej tyre ishin pozitive. Ne nuk mund të përcaktojmë me siguri nëse gripi i shpendëve ishte shkaku i vetëm i ngordhjes së këtyre kafshëve të egra dhe faktorë të tjerë mund të kenë kontribuar,” thuhet në deklaratë.
Deklarata tha se gjetjet iu raportuan Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OIE).
Gripi i shpendëve, i njohur edhe si H5N1, është një sëmundje e shkaktuar nga një virus që infekton zogjtë dhe ndonjëherë edhe kafshët e tjera.
Rasti i parë në botë i gripit të shpendëve te delet u identifikua kohët e fundit në Yorkshire.
Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se një “numër i vogël” i rasteve njerëzore janë regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2021.
Departamenti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale thotë se 1.78 milionë zogj janë asgjësuar midis nëntorit dhe shkurtit për shkak të përhapjes së sëmundjes në MB.
(A.A/BalkanWeb)