TIRANË
News24 zbulon kontratën që Ministria e Mjedisit ka nënshkruar me kompaninë koncensionare të landfillit të Sharrës ‘“Integrated Energy BV ”. Në këtë marrëveshje koncensionare vërehet se në asnjë prej pikave të renditura mbi detyrimet që duhet t’i paguhen kompanisë, nuk rezulton tarifa prej 480 lek/ton që kamionët e ndërtuesve me dhera janë të detyruar të paguajnë në Landfill.
Në dokument figurojnë vetëm dy tarifa që i paguhen koncesionarit. Bëhet fjalë për tarifën prej 29 euro për çdo ton mbetje urbane që depozitohet në Sharrë nga Bashkia e Tiranës dhe e dyta pagesa që koncensionari përfiton nga shitja e enegjisë elektrike të prodhuar nga impianti i përpunimit të mbetjeve. Kjo vërteton faktin flagrant se Landfilli i Sharrës iu ‘gllabëron’ në mënyrë abuzive dhe të jashtëligjshme firmave ndërtuese një tarifë të panënshkruar në kontratë.
Njësoj si biznesin privat edhe Bashkinë e kanë detyruar të paguajë tarifën prej 480 lekësh për cdo ton dherash që dërgon me mjetet e saj në landfill. Ky vendim absurd shton të ardhurat e kompanisë Integrated Energy B.V, e cila fut thellë duart në xhepat e taksapaguesve kryeqytetas.
Tarifat shtesë që koncensionari vendos në mënyrë të fshehtë t’ua vjelë ndërtuesve dhe Bashkisë së Tiranës janë cilësuar nga bizneset në vend si korruptive dhe klienteliste. Prej disa ditësh bizneset kanë ngritur shqetësimin në media duke kërkuar nga qeveria ndërhyrjen e menjëhershme dhe anulimin e kësaj tarife.
(BalkanWeb)