POGRADEC-Ekipet e polombarëve ndërkombëtarë që janë duke kryer kërkime në fundin e Liqenit të Ohrit, nën drejtimin e Millutin Sekullovskit, instruktor ndërkombëtar i polombarëve, në afërsi të Pogradecit kanë zbuluar pjesë të një aeroplani për të cilin është përfolur gjatë në Pogradec, informon INA.

Bëhet fjalë për një aeroplan nga Lufta e Dytë Botërore dhe sipas informacioneve nga Pogradeci, ka të bëjë me një aeroplan gjerman, ndërsa sipas Sekullovskit, nga pjesët e gjetura të aeroplanit, fjala është për një aeroplan anglez.

“Për këtë aeroplan kemi pasur informacione dhe ne e zbuluam. Shumë nga banorët e Pogradecit dhe të vendeve përreth kanë thënë se është aeroplan gjerman, por përkundrazi, bëhet fjalë për një aeroplan anglez. Pra, pas dokumentimit të pjesëve të aeroplanit, konstatuam se për çfarë aeroplani bëhet fjalë, sepse nën ujë duken vetëm pjesët e këtij aeroplani”-ka deklaruar Sekullovski.

Gjithashtu polumbarët nga Maqedonia dhe Shqipëria, kanë zbuluar disa vendbanime të hershme parahistorike siç është për shembull vendbanimi Vrbnik afër Strugës, Buqeze në ujërat teritoriale të Shqipërisë, Nadoll afër fshatit Trpejca, vendbanimin parahistorik.

Sekullovski ka thënë gjithashtu se janë gjetur e zbuluar vendqëndrime-habitate të njalave në një konfiguracion të bukur si dhe janë zbuluar burime nënujore në liqen afër Kalishtës, të ngjashme me burimet e Shën Naumit, që në masë të madhe mund të ndikojnë në zhvillimin e promovimin e turizmit nënujor.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb