POLONI- Një njoftim për zbulimin e një vargu vagonësh të një treni të blinduar në jugperëndim të Polonisë ka rikthyer në media legjendën e trenave të mbushur me ar dhe bizhu të vjedhura nga nazistët dhe të zhdukura në fund të Luftës së Dytë Botërore. “Ne kemi marrë një letër nga një zyrë avokatie që përfaqëson dy persona që deklarojnë se kanë identifikuar vendin ku ndodhet një varg vagonësh të një treni, që mendohet të jetë i blinduar”, theksoi Arkadiusz Grudzien, zëdhënës i Bashkisë së Walbrzych.

“Teksti nuk përmban asnjë të dhënë për vendin e saktë të zbulimit. Dy personat kanë kërkuar të na takojnë”, theksoi Grudzien. “Bëhet fjalë për një gjerman dhe një polak”, sipas avokatit që përfaqëson autorët e zbulimit të dyshuar.

“Janë njerëz seriozë. Ajo që më treguan gjatë takimit më inkurajon ta konsideroj këtë çështje si shumë të besueshme”, deklaroi Jaroslaw Chmielewski në një intervistë.

Infomacioni përqendrohet në zbulimin e një treni të zbuluar, me gjatësi 120-150 metra.

“Megjithatë klientët e mi janë skeptikë nëse bëhet fjalë për trenin e famshëm nazist me ar dhe objekte të tjera të çmuara”, konfirmoi ai.

Legjenda të ndryshme rreth galerive nëntokësore të fshehta pranë Walbrzych, ku do të fshiheshin thesaret e Rajhut të Tretë, marrin burim në historinë e një kantieri të madh nazist gjerman të ndërtuar nëntokë, të njohur me pseudonimin Riese (Gjigant).

Megjithatë, një drejtues vendor shprehet skeptik për këto pretendime, por nuk mohon vënien në punë të autoriteteve për verifikimin e tyre.

Kjo nuk është hera e parë që bëhen kërkime për gjetjen e këtij treni. Në të shkuarën janë ndërmarrë një sërë ekspeditash të tilla, por që kanë rezultuar pa sukses.
(ma.ar/AFP/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: