Një mision i përbashkët arkeologjik francezo-zviceran ka zbuluar një mastaba mbi 4000-vjeçare në vendin arkeologjik Saqqara, në jug të kryeqytetit Kajro, tha në një deklaratë Ministria egjiptiane e Turizmit dhe Antikiteteve.

Mastaba, lloji standard i varrit në Egjiptin para-dinastik dhe atë të hershëm, ka një bazë drejtkëndëshe, një çati të sheshtë dhe mure anësore të pjerrëta të bëra me tulla guri ose balte.

Mastaba e sapogjetur ishte për një mjek mbretëror që jetoi gjatë mbretërimit të Pepy II (rreth 2278-2184 pes), mbretit të fundit të Dinastisë së Gjashtë në Mbretërinë e Vjetër të Egjiptit.

Mohamed Ismail Khaled, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit (SCA), tha se zbulimi është një shtesë e rëndësishme në historinë e zonës arkeologjike, pasi tekstet dhe vizatimet në muret e varrit zbulojnë aspekte të reja të jetës së përditshme të Mbretëria e Vjetër, sipas deklaratës.

Ai shtoi se studimet paraprake tregojnë se mastaba ndoshta ishte grabitur në kohët e hershme, por muret me mbishkrime të gdhendura dhe të pikturuara janë të ruajtura mirë.

Misioni gjeti gjithashtu një sarkofag (arkivol guri). Mbishkrimet në tavanin e varrit dhe brenda sarkofagut zbuluan emrin dhe titullin e pronarit të varrit, sipas deklaratës.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb