Mediat greke kanë zbardhur të tjera detaje lidhur me atentatin në Athinë ku mbeti i vdekur me plumb në kokë 45-vjeçari Irakli Davella nga Finiqi dhe u plagos rëndë biznesmeni Edi Lulo, banues në Tiranë. Ky i fundit njihej edhe si Etmond Hysa.
Protothema shkruan se shënjestra e atentatit mund të ketë qenë Edi Lolo, i cili kishte vetëm pak ditë që kishte kthyer në Athinë nga Dubai.
Mediat greke raportojnë se në vendin e ngjarjes ka mbetur i plagosur edhe një person i tretë i cili ka qenë në shoqërinë e Davellës dhe Lulos në lokalin ku ndodhi ngjarja.
Ai është larguar menjëherë pas të shtënave, ndërsa policia greke po e kërkon për t’i marrë dëshminë e cila konsiderohet kyçe në këtë fazë të hetimeve. Bëhet fjalë për një person me precedentë penalë në Greqi, i përfshirë në çështje gjobëvënie dhe vjedhje.
Nga mënyra se si sulmuan sulmuesit, duket se ata e kishin planifikuar sulmin dhe prisnin momentin e duhur. Para krimit ata vodhën një makinë nga Athina, u drejtuan për në zonë, iu afruan viktimat dhe filluan të qëllojnë.
Sulmi ndodhi jashtë një dyqani në kryqëzimin e rrugëve Aristotelous dhe Komotinit, ku autorët qëlluan me gjakftohtësi mbi viktimat dhe më pas u zhdukën nga vendngjarja.
Informacionet nga burime policore bëjnë me dije se 45-vjeçari që humbi jetën pronar lokali në Peristeri. Policia beson se bëhet fjalë për larje hesapesh, nisur nga e kaluara e 45-vjeçarit, i cili dyshohet se ka lidhje me tre figura të krimit në Greqi, të cilët janë vrarë mes grupeve rivale të mafies greke.
(BalkanWeb)