Të gjitha ato ndërtime që janë ngritur para më shumë se 50 vitesh do t’i nënshtrohen një procesi të hollësishëm të auditimit Teknik nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që drejtohet nga Belinda Balluku, për të parë nëse ato plotësojnë kërkesat e rezistencës dhe sigurisë.
Në projektvendimin e qeverisë të siguruar nga News 24, thuhet se pas këtij kontrolli, do të vendoset nëse do të duhet të ndërhyhet në to për rikonstruksion apo do të shemben.
Ajo që bie në sy është se subjekti auditues i ndërtesave do të përcaktohet nga bashkitë dhe jo nga pronarët e objekteve.
Më pas auditimi teknik që kanë kryer organet e qeverisjes vendore, do t’i vendoset në dispozicion Institutit të Ndërtimit për të bërë oponencën dhe ky institucion do të japë konkluzionet te organet kompetente, nëse objekti duhet të riparohet, apo shembet.
Inxhinieri Luan Myrtaj thotë se auditimi Teknik nuk duhet të bëhet sipas moshës së ndërtesës por sipas tipologjisë së saj.
Sipas tij në tërmetin e 2019 më shumë probleme kanë pasur ndërtesat e reja sesa ato 50-vjecare.
““Duhet bërë sipas tipologjisë së ndërtesave dhe sipas zonave ku ato janë ndërtuar. Në sot kemi më shume probleme në Durrës me ndërtesat e larta. Më duhet mua një objekt tre katesh që nuk përben rrezikun e një 12 katëshi. Nuk ka të bej mosha nëse do ta marrësh merre nga ndërtesat që kanë riskun më të lartë. Merre nga ndërtesat që i vure një suva një bojë dhe nuk i përforcove ato janë minë me sahat ndërkohë një 3 katesh ne Durrës ose Tiranë qe nuk ka ndërhyrje pse duhet të merresh me atë”, deklaron Myrtaj.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, janë rreth 122 mijë ndërtesa në gjithë territorin e Shqipërisë për qëllime banimi të cilat preken nga vendimi për auditimin teknik, që parashikon qeveria.
Nga këto, janë rreth 44 mijë të ndërtuara përpara vitit 1960 dhe rreth 78 mijë të tjera, të ndërtuara në periudhën 1961 -1980.
Duket se fati i këtyre ndërtesave që sot përdoren për banim do të varet nga Instituti i Ndërtimit në varësi të Belinda Ballukut.