ATHINE- 10 politikanë grekë janë përfshirë në një skandal korrupsioni, që konsiderohet ndër më të rëndët në historinë e Greqisë. Hetimi i prokurorisë ka zbuluar se dy ish-kryeministra mes të cilëve Panajotis Pikramenos, i cili qëndroi në detyrë si kryeministër i përkohshëm për vetëm dy muaj në vitin 2012, dhe Antonis Samaras, i cili udhëhoqi vendin pas tij deri në janar të vitit 2015, si dhe 8 ish-ministra, janë të përfshirë në një aferë me një kompani zvicerane të barnave.


Sipas hetimit, politikanët grekë dyshohet se kanë marrë ryshfet nga kompania zvicerane duke i shkaktuar shtetit grek një humbje mbi 2 miliardë euro.


Kompania farmaceutike akuzohet se ka përdorur metoda joligjore për të rritur, madje për të dyfishuar artificialisht çmimet e barnave të rimbursueshme nga shteti.


Gjithashtu në skandal përfshihen edhe emrat e 8 ish-ministrave të Shëndetësisë, Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit që kanë shërbyer nga viti 2006 deri në vitin 2015.

(BalkanWeb)