Trajneri i Tiranës, Ze Maria, humbjen minimale 0-1 kundër Kamzës nuk e ka bërë dramë duke deklaruar se është e vërtetë që ky rezultat nuk i la një shije të mirë, por erdhi si pasojë emocioneve që lojtarët kishin për rikthimin në Superiore.

E kishit menduar një debutim të tillë me humbje?

Është normale që prisnim një fitore, nuk jam i kënaqur me një humbje të tillë. Lojtarët patën emocione në këtë rikthim në Superiore. Fitorja e vetme ishte që rikthyen tifozët, kjo ishte e vetmja shije e mirë nga kjo ndeshje.

Çfarë duhet ndryshuar për ndeshjen e dytë?

Ne pretendojmë të shkojmë shumë larg. Tiranën e vërtetë do e shihni pas ndeshjes së tretë. Tirana do të jetë për pjesën e sipërme të tabelës.

Pse duhet pritur ndeshja e tretë?

Sepse kanë arritur kaq shumë lojtarë të rinj, gati gjysma e skuadrës. Hasani, Blazhevski, apo edhe dy lojtarët nga Afrika. Ngo dhe Ilion Lika kanë munguar. Abibi bëri një ndeshje të mirë, por Lika i jep një tjetër shtysë ekipit.

Çfarë do bëjë Tirana pa Ngo?

Nuk jemi të varur vetëm nga Ngo, pasi edhe Greca e Sentamu kanë shënuar. Ngo krijon më shumë volum prej lartësisë, por duhet të presim pasi lojtarët e ardhur më vonë duhet të kapim ritmin. Ndoshta ndryshimi mund të vijë edhe që javën tjetër, dhe mos të presim javën e tretë.

Ekuilibër i brishtë psikologjikisht. Si do e administrojë trajneri këtë situatë?

E kemi nisur që nga edicioni i kaluar, dhe duke qenë se u rikthyem, është një hap pozitiv. Sot, kapiteni ka bërë një ndeshje të mirë, dhe ai i pari duhet të japë shembullin e një psikologjie të fortë. Është një përgjegjësi edhe e imja që ta rregulloj këtë situatë, dhe mendoj se do t’ia dal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb