Kremlini ka deklaruar të hënën se premtimet e bëra nga liderët evropianë në një samit në Londër për Ukrainën gjatë fundjavës, për të rritur fondet për Kievin nuk do të ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u takua me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe liderë të tjerë perëndimorë të dielën, ku ranë dakord të hartojnë një plan paqeje për Ukrainën dhe për ta paraqitur në Shtetet e Bashkuara dy ditë pasi Zelenskiy u përplas me presidentin Donald Trump në një takim të jashtëzakonshëm në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov premtimet e financimit nga liderët evropianë, përfshirë një marrëveshje prej 2 miliardë dollarësh për raketat e mbrojtjes ajrore nga Britania do të bëjnë që lufta të zvarritet.
“Kjo qartësisht nuk ka të bëjë me një plan paqeje”, por do të lejojë “vazhdimin e armiqësive. Çdo iniciativë konstruktive për paqen do të kërkohet tani. Është shumë e rëndësishme që dikush ta detyrojë vetë Zelenskin të ndryshojë pozicionin e tij. Ai nuk dëshiron paqe. Dikush duhet ta bëjë Zelenskin të dëshirojë paqe,” u tha Peskov gazetarëve.
Starmer i cili mirëpriti Zelenskin dukshëm të tronditur në Londër me një përqafim të ngrohtë të shtunën, tha se Britania, Ukraina Franca dhe disa vende të tjera do të formojnë një “koalicion” dhe do të hartojnë një plan paqeje për t’ia dërguar presidentit amerikan.
Peskov theksoi se liderët evropianë do të duhet të “bëjnë shumë përpjekje” me Uashingtonin për të “zbutur” marrëdhënien e Zelenskyt dhe Trump pas takimit të tensionuar.
Udhëheqësi ukrainas u tha gazetarëve të dielën se besonte se mund të shpëtonte marrëdhënien e tij me Trump, por se bisedimet do të duhej të zhvilloheshin me dyer të mbyllura.
(BalkanWeb)