TIRANË

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka nxjerrë sot projektin që sipas saj tregon se si do të betonizohet parku “Rinia”.

Në një status në “Facebook”, Zhupa shkruan se sipas projektit që do të ndërtohet brenda 8 muajsh, parkut i hiqen 6 mijë metër katrorë sipërfaqe gjelbërim, ndërsa kushton 1 miliard lekë nga taksat e qytetarëve.

Duke iu referuar edhe projektit për parkimin nëntokësor në këtë zonë, Zhupa shkruan se po bëhet betonizim edhe nëntokë dhe mbi tokë në parkun e vetëm të ngelur në qendër të kryeqytetit.

POSTIMI I PLOTË
Veliaj jep 1 miliard lek nga taksat tona për të betonizuar Parkun Rinia! Projekti i radhës është heqja nga kurora e gjelbër e Parkut Rinia e 6000m2 sipërfaqe gjelbërim.
Bashkia Tiranë me 30 Prill 2019 ka hapur procedurën e tenderimit me Objekt “Rehabilitimi i Parkut Rinia” projekt i cili është parashikuar të ndërtohet brenda 8 muajsh kalendarike dhe përllogarititet të kushtojë në një fond limit 104,629,747 lekë.

Duke ju referuar dokumenteve të tenderit përkatësisht projektit teknik të propozuar, ndërhyrjet konsistojnë në rikonceptimin e Parkut Rinia me qëllim ndërtimin e disa hapësirave të reja të emërtuara si sheshe, që s’janë gjë tjetër vetëm shtrim betoni.

Atë që bashkia e Veliajt përpiqet ta propagandojë si një projekt modern, në të vërtetë nuk është asgjë tjetër veçse afera e radhës dhe betonizimi i hapësirës së fundit të gjelbër pranë qendrës së Tiranës duke i hequr Parkut një hapësire të gjelbër prej 6000 m2.

Mos harrojmë që në 30 dhjetor 2015, Bashkia ka miratuar edhe parkim nëntokësor, me 4 kate poshtë Parkut Rinia. Që do të thotë betonizim edhe nëntokë dhe mbi tokë tek parku i vetëm i ngelur në qendër të Tiranës!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb