Presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky ka kritikuar zëvendësin e kandidatit republikan amerikan Donald Trump për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, JD Vance, duke thënë se ka pikëpamje “shumë radikale” për t’i dhënë fund konfliktit të Kievit me Moskën.

Komentet e Zelensky u publikuan teksa ai mbërriti në SHBA, ku pritet të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork dhe të takohet me Presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Duke folur për The New Yorker, udhëheqësi ukrainas u shpreh se “Trump nuk di vërtet se si ta ndalë luftën edhe nëse mund të mendojë se e di se si”.

Kur u pyet për zgjedhjen e zëvendëspresidentit të Trump, Zelensky u përgjigj: “Ai është shumë radikal”.

“Mesazhi i tij duket se është se Ukraina duhet të bëjë një sakrificë”, tha Zelensky. “Kjo na kthen te çështja e kostos dhe kush e përballon atë. Ideja që bota duhet t’i japë fund kësaj lufte në kurriz të Ukrainës është e papranueshme.

“Kjo do të ishte një ide e tmerrshme, nëse një person do ta zbatonte atë, për ta bërë Ukrainën të përballonte kostot e ndalimit të luftës duke hequr dorë nga territoret e saj”, tha Zelensky.

Ai argumentoi se një lëshim i tillë nuk do t’i jepte fund luftimeve dhe hodhi poshtë premtimin e ekipit të Trump për t’i dhënë fund konfliktit si “thjesht slogane”.

Senatori i Ohajos Vance kundërshton vazhdimin e financimit të Ukrainës nga SHBA dhe votoi kundër një projektligji ndihme prej 61 miliardë dollarësh që Kongresi miratoi këtë vit. Ai ka argumentuar se paratë e dërguara në Kiev vetëm ushqejnë “udhëheqjen dhe qeverinë më të korruptuar në Evropë”, pa i dhënë fund konfliktit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: