Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar për ”terror bërthamor”, në kohën kur janë shtuar kërcënimet ruse kundër objekteve bërthamore.
Në një intervistë për “Good Morning America”, Zelensky flet gjithashtu për raportet e fundit se Rusia ka përdorur satelitët kinezë dhe ka fotografuar detaje në objektet bërthamore, raporton The Guardian.
“Në përvojën tonë, nëse Rusia fotografon një objekt të caktuar, atëherë ekziston një kërcënim për goditje ndaj objekteve bërthamore. Ky është një terror bërthamor. Gjëra të tilla i ndajmë me shumë liderë që mund të ndikojnë në Rusi dhe të ndikojnë te Putini”, ka deklaruar Zelensky.
Ai nuk ka bërë të ditur nëse satelitët kinezë që ka përdorur Rusia ishin satelitë komercialë apo të kontrolluar nga qeveria kineze.
Në një postim në X të shtunën, ministri i jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha ka shkruar se “sipas inteligjencës ukrainase, Kremlini po përgatit sulme ndaj objekteve kritike të energjisë bërthamore të Ukrainës përpara dimrit”.
“Sulmet do të përqendroheshin në nënstacionet e transmetimit dhe pajisjet e tjera të shpërndarjes së hapur në stacionet bërthamore”, ka shkruar ai.
Pekini ka thënë se pozicioni i Kinës ndaj Ukrainës është të “promovojë bisedimet e paqes dhe zgjidhjen politike” dhe se ajo nuk ofron ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake për Rusinë.