Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për vendosjen e qëllimshme të kushteve, për një armëpushim me qëllim të ndërlikimit dhe vonimit të procesit të negociatave.

“Rusia po vendos qëllimisht pengesa në bisedimet e armëpushimit në mënyrë që të zgjasë procesin dhe të krijojë vështirësi shtesë”, tha Zelensky të premten.

Në të njëjtën kohë, ai shprehu shqetësimin e tij se Moska nuk po kërkon një zgjidhje reale por përkundrazi po përpiqet të çojë përpjekjet diplomatike në një qorrsokak.

“Rusia dëshiron që bisedimet për t’i dhënë fund luftës të dështojnë,” shtoi ai, duke argumentuar se Moska po i përdor negociatat si një mjet taktikash politike dhe jo një përpjekje të sinqertë për paqen.

Deklaratat e Zelensky vijnë në një moment kritik, pasi SHBA dhe Rusia janë të angazhuara në bisedime intensive për një armëpushim të mundshëm.

Të enjten i dërguari special i SHBA Steve Witkoff u takua me Vladimir Putin në Moskë, ndërsa administrata Trump shprehu “optimizëm të kujdesshëm” për një marrëveshje të mundshme paqeje.
Si pasojë u zhvillua edhe një bisedë telefonike mes presidentit Trump dhe Putin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb