Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se situata është e vështirë në rajonin e Donetskut të vendit të tij, por ushtarët vazhdojnë të mbrojnë pozicionet e tyre.
Në deklaratën në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Zelensky deklaroi se ka marrë një raport nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Oleksandr Sirskiy, për situatën në vijën e frontit.
Duke theksuar se situata është e vështirë në rajonin e Donetskut, Zelensky tha: “Megjithatë, brigadat tona mbrojnë pozicionet dhe bëjnë gjithçka që është e mundur për të shkatërruar pushtuesin”.
Lidhur me operacionet e Rusisë në rajonin e Kurskut, Zelensky tha: “Ne po përmbushim qëllimet tona. Zona tampon në territorin rus mbron Ukrainën nga përpjekjet e Rusisë për të përhapur luftën në lindje të vendit tonë dhe siguron që Rusia të pësojë humbje të konsiderueshme”.
“Sipas inteligjencës, Rusia do të vendosë ushtarët e parë të Koresë së Veriut në zonat luftarake më 27-28 tetor”
Duke thënë se Sirskiy “ka dhënë informacion se Rusia po sjell ushtarë nga Koreja e Veriut”, Zelensky tha: “Sipas inteligjencës, Rusia do të vendosë ushtarët e parë të Koresë së Veriut në zonat luftarake më 27-28 tetor. Ndryshe nga dezinformatat që qarkullojnë në Kazan këto ditë, ky është hapi i qartë i Rusisë për të përshkallëzuar tensionet”.