Investimet e huaja në Shqipëri shumë shpejt pritet të hyjnë në një fazë vështirësie. Dy projektet e mëdha më ndikim afro 60% në totalin prej mbi 1 miliard euro të shifrës së investimeve të huaja direkte, janë drejt përfundimit dhe qeverisë do të duhet t’i zëvendësojë me projekte ambicioze. Komuniteti i investitorëve dhe përfaqësues të opozitës raportojnë disa probleme, që përbëjnë pengesë në terheqjen e kapitalit të huaj, si korrupsioni, taksat e larta, siguria ligjore, ndryshimet e shpeshta të ligjit fiskal, problemet me pronën etj, ndërsa qeveria angazhohet për përimirësimin e klimës së biznesit përmes forcimit të institucioneve dhe kuadrit ligjor.

Investimet janë një burim i rëndësishëm i fluksit të parasë dhe të kapitalit në ekonomi . Por megjithë përpjeket e qeverive të ndryshme për tërheqjen e kapialit të huaj Shqipëria mbetet e fundit në rajon. Përfaqësues të investitorëeve të huaj raportojnë barriera të shumta, në ushtrimin e aktivitetit të tyre. Zyrtarët thonë se investimet e huaja direkte kanë një trend në rritje, dhe kapën një shifër mbi 1 miliard euro në vitin 2018, që sipas opozitës nuk tregon realitetin.

“Nga viti 2013 deri në vitin 2018 për investimet e huaja kanë patur një ndikim të drejtpërdrejtë Tap dhe Devolli, por 60% e kësaj vlere janë këto dy investime. Tap-i ka përfunduar 90% të investimit të tij këtë vit, dhe nga viti tjetër ai stopon. E njëjtja gjë ndodh dhe me Devollin. Ky është një problem shumë serioz për ekonominë shqiptare, sepse nuk e dimë akoma me çfarë do të zëvendësohen”- thotë Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD.

“Trendi i invesitmeve të huaja në Shqipëri këto vite ka qenë në rritje, por shumë shpejt do duhet të zëvendësojmë këto investime të mëdha me investime të tjera. Ajo që po mundohemi të bëjmë është të ndryshojmë qasje. Nga qasja në pritje në prtitje të investimeve të huaja, ne duam të bëjmë një qasje proaktive”- pohon Eduard Shalsi, Ministër shteti për mbrojtjen e sipërmarrjes.

“ Qeveria shqiptare nuk ka treguar se cilat janë prioritetet e saj, nuk ka ftuar investitorët e huaj dhe nuk ka absolutisht asnjë plan të ngjashëm, për të zëvendësuar Tap-in dhe Devoll-in me një investim të përmasave të tilla”- shprehet Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD.

“Janë disa projekte në fakt që po analizohen për t’ua paraqitur investitorëve të huaj. Kemi hidrocentralin e Skavicës, një investim rreth 350 milion euro. Nga ana tjetër kemi projektin Adriatik Pipeline që kërkon të lidhë Shqipërinë më Kroacinë. Në këtë funksion edhe Tec-in e Vlorës, kërkojmë të lidhim me Tap-in. Gjithashtu në zonën e Dumresë po studiohet për ndërtimin e një depozite të madhe gazi. Ndërkohë ka projekte siç është ai i një rafinerie shumë të madhe të përpunimit të naftës në Durrës”- shpjegon ​Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes .

Investitorët shohin në Shqipëri një treg të vogël, dhe investimet e tyre i planifikojnë në një kontekst rajonal, ku Shqipërisë i duhet të konkurojë me vendet e Ballkanit perëndimor.

“Në lidhje me konkurimin Shqipëria performon shumë dobët. Amerika ka qenë partneri i 8-të i Shqipërisë në vitin 2017 dhe është tani në këtë moment partneri i 10-të, pra kemi një rënie. Ditët e fundit është diksutuar shumë raporti i Bankës Botërore i 2020-ës, Doing Business. Një nga diskutimet kryesore ka qenë diskutimi global dhe rënia që Shqipëria ka patur në lidhje me renditjen globale”- pohon Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregëtisë.

“Ka 11 kritere raporti Doing Business dhe pjesa më e madhe e kritereve tregojnë që nuk ka përmirësim të klimës së biznesit. Janë dy elementë që meritojnë të analizohen. Një lidhur me mosfunksionimin e bursës në Shqipëri dhe një tjetër me kontratat dhe rolin e përmbaruesve”- thotë Eduard Shalsi, Ministër shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes .

“Një nga gjërat e tjera të rëndësishme që është anashkaluar në diksutime, është renditja rajonale e Shqipërisë. Shqipëria konkuron në vendin e fundit ose të parafundit” – thotë Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregëtisë.

“Kudo ku kemi shkuar dhe kemi konkuruar më vendet e tjera të rajonit, fatkeqësisht kemi humbur. Unë dua të kujtoj vetëm Samitin e Poznanit. Investimet e Maqedonisë së Veriut, të Bosnjë-Hercegovinës të Serbisë kanë qenë investime konkrete në energji dhe në infrastrukturë. Por çfarë ndodhi me Shqipërinë. Nuk kishte absolutisht asnjë investim sepse Shqipëria nuk dorëzoi asnjë paketë investimesh”- shprehet Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD.

“Ajo që është në dorën tonë ka të bëjë me përmirësimin e klimës së biznesit, me ofrimin e shërbimeve moderne për investitorët, me rregullimin e kuadrit ligjor me forcimin e kuadrit institucional. Kemi nevojë për institucione të forta profesionale dhe dinjitoze”- shprehet Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Megjithë përpjekjet e qeverisë investitorët e huaj kanë disa probleme ende të pazgjidhura. Më e forta renditet ajo e korrupsionit e nënvizuar dhe në raportin e departamentit amerikan të shtetit.

“Korrupsioni në Shqipëri, në lidhje me klimën e biznesit dhe vendosjen e investimeve ka qenë i përhapur. Në fakt kemi raste investitoresh që kanë ardhur, janë munduar, kanë patur orientimin pozitiv për të investuar në Shqipëri, por janë ndeshur ose me korrupsionin ose me pegnesa të ndryshme ligjore dhe proçeduriale, të cilat herë kanë qënë të lidhura me korrupsionin e herë jo, por në fund kanë shkaktuar largimin e investitorëve”- shprehet Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregëtisë.

“Do të ishte e padrejtë të mos binim dakort me një pjesë të konstatimeve, por ilaçi më i mirë është reagimi ndaj fenomeneve që vihen re, dhe këto fenomene luftohen përmes dy komponentëve, rritjen e transparencës dhe rritjen e konkurueshmërisë”-pohon Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

“Një element tjetër që e citon raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit janë lidhjet politike. Sepse sot tenderat dhe konçensionet sipas DASH-it i marrin kompani të lidhura me shtetin. Por edhe nëse ke marrë një tender dhe një konçension, përsëri duhet që nënkontraktor të marrësh po kompani të lidhura me shtetin”- thotë Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD.

“Kemi patur kërkesa tek investitorët tanë për të marrë nënkontraktorë të deleguar nga zyrtarë të ndryshëm, gjë që kanë raste tipike korrupsioni. Pra ky është një nga problemet themelore masive që ne kemi”- thotë Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregëtisë.

“Ajo që mund të them është vendosmëria e qeverisë për të luftuar fenomenet duke përmirësuar kuadrin ligjor dhe kuadrin institucional”- thotë Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Përfaqësaues të investitorëve të huaj në Shqipëri mendojnë se ka dhe disa problemtika të tjera pengesë në rrugën e tyre të investimeve.

“Fusha të tjera të përmendura në raportin e Bankës Botërore që perceptohet e vështirë dhe e komplikuar për vendin, është regjistrimi i pronës. Regjistrat kadastralë kanë mangësi dhe nevojë për përmirësim dhe për këtë arsye vendi ka një rrugë të gjatë për të bërë në këtë fushë me synimin për ta zgjidhur atë”- thotë Tom Kristian Larsen, kryetar i bordit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj

“Jemi në fazën e diskutimit të një ligji për investimet, por një ligji të unifikuar. Do të prezantojmë dhe disa përmirësime nisur dhe nga çfarë nuk ka shkuar mirë gjatë këtyre viteve në Shqipëri”- thotë Eduard Shalsi, Ministër shteti për mbrojtjen e sipërmarrjes.

“ Për të qenë të sinqertë problemet vijnë kur kemi të bëjmë me institucionet publike, me gatishmërinë për të dhënë dokumentat, kohën e pakët për të vlerësuar tenderat, si dhe ndryshimin e shpeshtë të ligjit fiskal”- thotë Silvio Pedrazzi, Këshilltar i “Confindustria Albania”.

“Një nga shqetësimet e vazhdueshme të bizneseve të huaja apo vëndase ka qenë dhe ndryshimi shpeshtë i kuadrit fiskal. Kemi marrë një vendim që nuk do ketë paketë fiskale çdo fundviti, por çdo 4-5 vjet dhe kjo do të krijojë një kohë të mjaftueshme për të analizuar me detaje por dhe për të kalkuluar më me pjekuri pasojën e vendimeve apo ndryshimeve fiskale”- argumenton Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

“Struktura e taksave, që ka Shqipëria sot për momentin, është një progresive. Qeveria e lançoi si sukses, por fatkeqësisht ka rezultuar se 97% e bizneseve dhe e qytetarëve paguajnë taksa më të rritura”- thotë Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së PD.

“Sondazhet e fundit në Shqipëri tregojnë se pjesa më e madhe e biznesit nuk ka problem me nivelin e taksave, përkundrazi janë të kënaqur, por ka problem me proçedurat burokratike me sorollatjet me shpeshherë administratën publike jo në nivelin që ne kërkojmë”- pohon Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

“Ndërkohë duhet të them edhe një problematikë me të cilën investitorët italianë përballen në përditshmëri, kur kërkojnë përgjigje apo edhe sqarime të thjeshta nga institucionet. Jepet përshtypja se institucionet janë si të përhumbura në burokracira, gjë që edhe e karakterizon këtë vend”- thotë Silvio Pedrazzi, Këshilltar i “Confindustria Albania”.

“Nëse ka diçka ku jemi fokusuar, është përmirësimi i shërbimeve ndaj biznesit i cili vazhdimisht e thekson dhe këtu kemi shumë gjëra për të cilat ndjehemi krenar që i kemi bërë, por ka dhe gjëra të tjera që meritojnë t’i korigjojmë, rregullojmë apo përmirësojmë”- shprehet Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Disa probleme të tjera të evidentuara nga investitorët e huaj lidhen respektimin e kontratave dhe gjyqet në arbitrazh. KLSH llogarit një borxh të qeverisë ndaj bizneseve në një vlerë prej 150 milion euro.

“Ajo që ne po përpiqemi me shumë mund të bëjmë është pikërisht forcimi i institucioneve, i kapaciteteve, burimeve njerëzore të administratës për të shmangur në të ardhmen konflikte të tilla”- thotë Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Megjithë vështirësitë investitorët thonë se Shqipëria ka potenciale më të mëdha për investime.

“Shqipëria mund të renditet në vendin e parë ose të dytë në Ballkanin perëndimor dhe mund të tërheqë shumë të mëdha investimesh. Pra ka një potencial të lartë. Dhoma Amerikane e Tregëtisë ka filluar një inisiativë shumë të rëndësishme, e cila do lançohet vitin që vjen që synon përmirësimin e klimës së investimeve në Shqipëri”- shprehet Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregëtisë.

“Besoj se qeveria në shumë raste është e hapur që të tilla ndërveprime të ndodhin, të dëgjojnë qëndrimet e bizneseve dhe shqetësimet e tyre në lidhje me ndryshimet që po ndodhin”- thotë Tom Kristian Larsen, kryetar i bordit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj

“ Shqipëria duhet që të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur reformën në drejtësi, sepse mungesa e një sistemi gjyqësor penalizon ekonominë në të gjitha nivelet, krizat politike ndikojnë gjithmonë mbi ekonominë. Kriza aktuale po zgjat ca si tepër dhe duhet me domosdo të zgjidhet shpejt. Kështu që të gjithe ne, sipërmarrës dhe politikanë duhet të impenjohemi që ky moment të mbetet pas shpine përndryshe ekonomia do ta paguajë shtrenjtë”- thotë Silvio Pedrazzi, Këshilltar i “Confindustria Albania”.

Komuniteti i investitorëve të huaj në Shqipëri është krejt i qartë në konstatime dhe kërkesa. Situata nuk është ajo që do donin të ishte, por sërish ata mbeten optimistë se Shqipëria do ja dalë të jetë konkuruese mes vendeve të ballkanit përëndimor/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb