Në Shqipëri, Partia Demokratike publikoi sot një tjetër dokument që sipas saj provon se kryetari socialist i Bashkisë së Vaut të Dejës Mark Babani, është arrestuar në Itali edhe në vitin 1996. “Përveç dokumentit për arrestimin në 1994-ën me një emër tjetër, dënimin, burgosjen dhe dëbimin nga Italia për vjedhjen e makinave në Siçili nga Mark Babani, Partia Demokratike disponon dokumenta që Mark Babani ka përdorur një identitet tjetër të rremë për të hyrë në Itali 2 vjet më vonë, në 1996-ën”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi duke publikuar një dokument që siç tha ai është nxjerr nga sistemi shtetëror i burgjeve në Itali. “Dokumenti ka një element plus, të cilin Mark Babani nuk mund ta mohojë. Në këtë dokument është fotografia e tij me emrin Fatmir Babaj. Në vitin 1996, me këtë identet të rremë, krimineli i Edi Ramës në Vaun e Dejës, ka tentuar të hyjë në Itali, pasi ishte dëbuar për vjedhjen e makinave, por është arrestuar sërish nga policia italiane”.

Dy ditë më parë zoti Bardhi, publikoi një tjetër dokument, përmes të cilit, sipas tij, vërtetohej se “Mark Babani, me emrin e rremë Marq Babaj, është arrestuar më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Siçilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”. Ai ka qëndruar në burg deri më datën 6 Maj 1994 dhe më pas është dënuar dhe dëbuar nga shteti Italian”.

Ashtu si dhe më herët, kryebashkiaku socialist i mohoi akuzat duke përsëritur se gjatë gjithë jetës së tij nuk ka qëndruar as 24 orë në burg dhe as nuk është ndaluar ndonjëherë nga policia.

Por sot PD-ja theksoi se “Kartela e arrestimit tregon qartë se Mark Babani me emrin Fatmir Babaj kishte shkelur dënimin e gjykatës për dëbimin e tij nga Italia si hajdut makinash në vitin 1994. Policia italiane bëri lidhjen se Fatmiri në foto dhe Marku i Ramës në Bashkinë e Vaut të Dejës janë i njëjti person. Ai u arrestua më datë 24 janar 1996 me identitetin e rremë Fatmir Babaj, dhe u mbajt në burg deri më datë 27 Janar 1996, ku u provua se ishte Marq Babaj, i dënuar në Itali për vjedhje në rrethana rënduese të kryer në bashkëpunim”, u shpreh zoti Bardhi duke kërkuar veprime të menjëhershme të Prokurorisë ndaj kryebashkiakut Babani. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb