Parlamenti Europian e konsideron një “gabim strategjik” mungesën e një vendimi nga ana e shteteve anëtarë të Bashkimit Europian, javën e shkuar, për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një rezolutë të miratuar të enjten, me 412 vota pro, 136 kundër dhe 30 abstenim, Parlamenti Europian thekson se “të dy vendet plotësojnë kërkesat për të filluar negociatat”, duke shprehur “zhgënjim të thellë” për mungesën e konsensusit në Këshillin europian.


Sipas një deklarate të Parlamentit Europian “eurodeputetët shprehin keqardhje për masën e Francës, Danimarkës dhe Hollandës për të bllokuar vendimin” pasi sipas tyre “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit dhe plotësojnë kriteret e BE për të filluar bisedimet e anëtarësimit”. Duke vlerësuar “përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur çështje të vështira bilaterale me vendet e saj fqinje”, eurodeputetët gjithashtu “mirëpresin reformat e fundit të gjyqësorit në Shqipëri”.


Sipas rezolutës, mungesa e një vendimi nga ana e udhëheqësve të BE-së “dëmton besueshmërinë e BE-së dhe dërgon një mesazh negativ për vendet e tjera të mundshme kandidate. Ajo gjithashtu, mund të bëjë që aktorët e tjerë të huaj – veprimtaria e të cilëve mund të mos jetë në përputhje me vlerat dhe interesat e BE-së – të angazhohen më ngushtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.


Vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim u pengua kryesisht nga Franca për shkak të këmbënguljes së presidentit francez Emmanuel Macron për të rishikuar procesin e bisedimeve, në kuadër të reformimit të të gjithë politikës së zgjerimit. “Një reformë e procesit të zgjerimit, e mbrojtur nga disa vende, nuk duhet të pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat tashmë plotësojnë kërkesat për t’u vlerësuar në bazë të meritave të tyre dhe kritereve objektive, dhe jo të gjykohen nga agjendat politike të brendshme në vendet e tjera”, thekson rezoluta.

Këshilli Europian deklaroi se çështja do të rishqyrtohet para Takimit të Nivelit të Lartë për Ballkanin Perëndimor, që pritet të organizohet në muajin maj në Zagreb. Por sipas eurodeputetëve “koha është tani”, duke i kërkuar vendeve anëtare “të veprojnë me përgjegjësi ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe të marrin një vendim unanim pozitiv në mbledhjen e ardhshme”. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: