TIRANË

Për zëvendës ministrin e Mbrojtjes Petro Koçi më të prekura nga tërmetet e fundit por dhe nga ai i 1 qershorit në Korçë janë banesat e ndërtuara me teknologji të vjetër ndërtimi.

I ftuar në emisionin “Real Story” në News24, pasi pranoi se nuk ka qeveri që matet me fuqitë madhore të natyrës, Koçi tha se çështjen e emergjencave kjo qeveri e ka menduar shumë më mirë se të tjerat. Sipas tij, ka nevojë për të studiuar natyrën e ndërtesave në Shqipëri.

“Nuk ka qeveri që matet me fuqitë madhore të natyrës. Kjo nuk është ndonjë sfidë që vlen për tu mburrur apo ulur kokën. Sigurisht që ishim me fat që ky tërmet kishte atë amplitudë që kishte dhe jo më shumë. Nëse ne marrim në konsideratë qeverinë mendoj se e ka menduar shumë më mirë se qeveritë e mëparshme çështjet e emergjencave. E ka menduar shumë më mirë pse, sepse emergjencat civile i kaloi në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, pra aty ku janë dhe kapacitet që reagojnë. Përtej kësaj, në zbatim të direktivave të BE-së kemi një ligj të ri, të mbrojtjes civile ku përparësi nuk merr vetëm reagimi i shtetit, shoqërisë por kryesisht është strategjia e parandalimit. Ka nevojë për të studiuar natyrën e ndërtesave në Shqipëri. Ishte tërmeti i këtyre ditëve por ndodhi dhe tërmeti i 1 qershorit në Korçë. Banesat të cilat kishin një teknologji të vjetër ndërtimi me gurë e lidhje me baltë janë një kategori ndërtesash që rrëzohen me tërmetin më të vogël”, deklaroi Koçi.

Ai tha se në vijimësi këto banesa duhet të kategorizohen të banueshme dhe duhen marrë masa ose duhet gjetur mënyra dhe pajisen që sot qytetarët me standardet e ndërhyrjes.
“Në Floq, muri nuk qe rrëzuar horizontalisht por vertikalisht. Gjysma nga brenda ishte në rregull sepse ishte suvatuar, nga jashtë kishte rënë sepse ishte pa suvatuar.
Forca reaguese e shtetit dhe shoqërisë në momentin që ndodh fatkeqësia është trajtimi si emergjencë, strehimi i njerëzve, trajtimi mjekësor”, u shpreh Koçi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb